Krahasimi midis tensioneve rreth Ngushticës së Hormuzit dhe Krizës së Suezit të vitit 1956 është bërë gjithnjë e më i zakonshëm në analizat gjeopolitike. Argumenti është i thjeshtë: ashtu si Suezi shënoi kufijtë e fuqisë britanike pas Luftës së Dytë Botërore, edhe Hormuzi mund të sinjalizojë kufijtë e hegjemonisë amerikane në shekullin XXI.

Megjithatë, paralelizmi mbetet problematik.

Ngjashmëria mes dy krizave është kryesisht gjeografike. Të dyja lidhen me korridore strategjike detare dhe me kontrollin e rrjedhës globale të energjisë dhe tregtisë. Por konteksti historik, struktura e sistemit ndërkombëtar dhe vetë natyra e fuqisë amerikane sot janë thelbësisht të ndryshme nga ato të Britanisë në vitin 1956.

Debati real nuk është nëse Shtetet e Bashkuara ndodhen në një fazë transformimi strategjik. Fuqitë globale ripozicionohen vazhdimisht në raport me teknologjinë, energjinë dhe ndryshimet e rendit ndërkombëtar. Pyetja është nëse Hormuzi përfaqëson për Amerikën të njëjtin moment që përfaqësoi Suezi për Britaninë. Deri tani, evidenca sugjeron se jo.

Një nga arsyet kryesore pse paralelizmi mes Hormuzit dhe Suezit mbetet i kufizuar lidhet me natyrën e ndryshme të fuqisë britanike në vitin 1956 dhe asaj amerikane sot. Perandoria britanike mbështetej mbi kontrollin territorial, administrimin kolonial dhe dominimin fizik të rrugëve tregtare. Humbja e kontrollit mbi nyjet strategjike nënkuptonte dobësim të drejtpërdrejtë të vetë strukturës imperiale.

Shtetet e Bashkuara operojnë mbi një model tjetër fuqie. Dominimi amerikan pas Luftës së Dytë Botërore nuk u ndërtua kryesisht mbi kolonitë, por mbi kontrollin e mekanizmave që mbajnë në funksion ekonominë globale: sistemin financiar ndërkombëtar, dollarin, aleancat ushtarake, teknologjinë, zinxhirët strategjikë të furnizimit dhe superioritetin detar. Për këtë arsye, tensionet rreth një korridori detar nuk prodhojnë automatikisht të njëjtin efekt strategjik që Suezi pati mbi Britaninë.

Kjo diferencë bëhet edhe më e dukshme në dimensionin energjetik. Për Britaninë, Kanali i Suezit ishte një arterie jetike që lidhte ekonominë britanike me kolonitë, tregjet dhe burimet energjetike të perandorisë. Çdo kërcënim ndaj kanalit prekte drejtpërdrejt funksionimin ekonomik dhe strategjik të Londrës.

Hormuzi mbetet një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë, por ai nuk ushtron të njëjtin leverage të drejtpërdrejtë mbi Shtetet e Bashkuara. Ndikimi i tij ndaj Amerikës kalon kryesisht përmes aleatëve europianë, ekonomive aziatike dhe tregjeve globale të energjisë. Vetë SHBA-ja sot është shumë më pak e varur nga importet energjetike të Gjirit Persik sesa ishte dikur, falë prodhimit të brendshëm të naftës dhe gazit, si edhe rolit të saj në rritje si eksportuese energjie.

Në këtë kuptim, destabilizimi i Hormuzit nuk prodhon domosdoshmërisht dobësim automatik të pozitës amerikane. Në shumë raste, ai rrit varësinë strategjike të aleatëve ndaj pranisë ushtarake, financiare dhe energjetike të Shteteve të Bashkuara.

Në këtë kontekst, Hormuzi nuk duhet parë thjesht si një krizë rajonale apo si një moment dobësimi linear i fuqisë amerikane. Përkundrazi, zhvillimet e fundit sugjerojnë se Uashingtoni po e përdor krizën edhe si mekanizëm për rikonfigurimin e aleancave dhe konsolidimin e pranisë së tij në korridoret strategjike globale.

Kjo bëhet më e qartë nëse zhvillimet e fundit lexohen si pjesë e të njëjtit kuadër strategjik. Interesi amerikan për Groenlandën lidhet me rëndësinë në rritje të korridoreve arktike, të cilat po bëhen gjithnjë e më të aksesueshme për shkak të shkrirjes së akujve. Në Indo-Paqësor, zgjerimi i bashkëpunimit ushtarak me Indonezinë rrit aksesin amerikan pranë Ngushticës së Malakës, Sunda dhe Lombok — tre nga korridoret më të rëndësishme të tregtisë dhe furnizimit energjetik aziatik.

Në të njëjtën kohë, bashkëpunimi strategjik me Marokun forcon pozicionimin amerikan pranë Ngushticës së Gjibraltarit, ndërsa zhvillimet në Venezuelë lidhen me përpjekjen për të rritur influencën mbi rezervat dhe tregjet energjetike globale.

Të marra së bashku, këto zhvillime sugjerojnë më shumë një proces ripozicionimi strategjik sesa një tërheqje të thjeshtë të fuqisë amerikane.

Edhe vetë koncepti i “krizës” ndihmon për ta kuptuar më qartë natyrën e momentit aktual. Fjala vjen nga greqishtja e lashtë krisis, që nënkupton “gjykim”, “ndarje” apo “moment vendimi”. Në marrëdhëniet ndërkombëtare, krizat shpesh nuk shërbejnë vetëm si momente destabiliteti, por edhe si pika ku fuqitë e mëdha ripërcaktojnë prioritetet dhe arkitekturën e sigurisë.

Në këtë kuptim, Hormuzi mund të interpretohet më pak si “Suez-i amerikan” dhe më shumë si pjesë e një procesi ku Shtetet e Bashkuara po përpiqen të garantojnë kontrollin ose sigurinë e korridoreve përmes të cilave kalojnë energjia, tregtia dhe zinxhirët globalë të furnizimit.

Kjo nuk përjashton mundësinë që sistemi amerikan të përballet me kufizime, sfida apo transformime të mëdha në dekadat e ardhshme. Por paralelizmi linear me Suezin mbetet problematik, sepse supozon se fuqia amerikane funksionon mbi të njëjtën logjikë me perandoritë koloniale europiane të shekullit XX: logjika e një epoke që ka përfunduar prej kohësh.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb