Ish-zyrtari i lartë i Policisë së Shtetit, Shemsi Prençi, ka bërë deklarata të forta lidhur me trajtimin e të burgosurve VIP në burgjet shqiptare, duke ngritur dyshime për privilegje dhe abuzime brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit.
Sipas Prençit, drejtuesit e organizatave kriminale nuk transferohen në burgje të sigurisë së lartë si ai i Burrelit, por preferohen institucione të tjera, ku sipas tij krijohen më shumë mundësi për komunikim dhe favore.
Ai pretendoi se në disa raste janë përdorur “profesione të ligjëruara” për të futur eskorta në ambientet e burgjeve.
“Pse në burgun e Burrelit nuk ka asnjë të burgosur vip? Pse kokat e organizatave kriminale nuk shkojnë në burgun e Burrelit por në Durrës ku u krijohet mundësia të futen celularë për shembull.
Burgu i Shënkollit nuk ka asnjë kusht për të ruajtuar të burgosur, të sëmurë ose jo. Një person për shëmbull ishte pajisur me certifikatë profesionale si masazhatore, sepse të burgosurit vip duhet të masazhohen nga masazhatore që t’i sjellin në formë. Forma e ligjëruar për të futur eskortat. Eskortat që futen në burgje kanë lloj-lloj profesionesh, masazhatore, fizioterapiste, që mos të përmend të tjerat”, tha ai.
