Ish-kryeministri i Kosovës dhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur në emisionin “Oponencë” për politikat ekonomike dhe nismat rajonale, duke u ndalur si te raportet me Serbinë, ashtu edhe te “Ballkani i Hapur”.

Haradinaj u shpreh se taksa 100% ndaj produkteve serbe, e vendosur gjatë qeverisjes së tij, nëse do të ishte mbajtur, do të kishte ndikuar në forcimin e integrimit ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Nëse do ishte mbajtur kjo taksë do unifikoheshim si treg Kosova dhe Shqipëria”, deklaroi ai.

Ai shtoi se gjatë asaj kohe ka pasur ankesa nga kompani të mëdha për masën ndaj produkteve serbe.

“Me janë ankuar kompani të mëdha për taksën dhe u kam thënë: nëse vendosni kompaninë në Shqipëri, do e marrim produktin pa taksë, ndërsa ata operojnë nën legjislacionin serb”, u shpreh Haradinaj.

Duke folur për bashkëpunimin rajonal, Haradinaj u ndal edhe te nisma “Ballkani i Hapur”, për të cilën tha se është i hapur në parim, por me një kusht të qartë politik.

“Jam për Ballkanin e Hapur por me një kërkesë: Serbia të njohë Kosovën”, deklaroi ai.

Sipas tij, një nismë e tillë duhet të garantojë barazi mes shteteve dhe të mos krijojë tensione apo përplasje mes palëve, duke theksuar se çdo vend duhet të ketë mundësi të bashkëpunojë lirshëm me shtete të tjera.

“Ballkani i Hapur duhet të ketë mundësinë që çdo shtet të jetë më i hapur me shtete të tjera, pa u mërzitur palët e tjera”, përfundoi Haradinaj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb