Ish-kryeministri i Kosovës dhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur në emisionin “Oponencë” në News24, ku është ndalur te marrëdhëniet me kryeministrin shqiptar Edi Rama, si dhe raportet mes Tiranës dhe Prishtinës ndër vite.

Haradinaj theksoi se mes dy kryeqyteteve shqiptare duhet të ekzistojnë kanale komunikimi konfidenciale, që sipas tij nuk duhet të kalojnë përmes ndërmjetësve apo analistëve.

“Prishtina dhe Tirana duhet të kenë kanale komunikimi konfidenciale. Ato nuk duhet të bëhen përmes sekserëve apo atyre që bëjnë analiza”, u shpreh ai.

Duke folur për marrëdhëniet politike me Tiranën ndër vite, Haradinaj tha se shqiptarët duhet të kenë të drejtë të diskutojnë dhe të kontribuojnë në çështjet e përbashkëta kombëtare.

“Nuk është keq të bësh liderin e shqiptarëve, cilido prej nesh, sepse secili shqiptar ka të drejtë të flasë për çështjet tona”, deklaroi ai.

Ai u ndal edhe te periudhat e përplasjeve me kryeministrin Rama, duke i lidhur ato me sfida të rëndësishme politike dhe të sigurisë në Kosovë.

Sipas Haradinajt, një nga çështjet kryesore ka qenë sovraniteti i Kosovës dhe vendosja e taksës ndaj Serbisë, të cilën ai e cilësoi si çështje të mbrojtjes së shtetit.

“Taksa ka qenë sovranitet. Nëse do ta hiqja, do të dëshmoja një paaftësi të Kosovës për të mbajtur territorin dhe tregun e saj”, u shpreh ai.

Haradinaj përmendi gjithashtu edhe çështjen e Gjykatës Speciale dhe procesin e dialogut me Serbinë, duke theksuar se në atë periudhë ka pasur presione të shumta politike dhe ndërkombëtare.

Ai shtoi se kritikat dhe përplasjet nuk kanë qenë personale, por të lidhura me qëndrimet e tij për çështje strategjike të Kosovës.

“Nuk ka pasur të bëjë vetëm me Ramën, por me pozicionin që kam marrë për të mbrojtur interesin kombëtar”, tha Haradinaj.

Sipas tij, është e nevojshme që të bëhet dallim mes politikës së përditshme dhe çështjeve kombëtare, të cilat nuk duhet të ndikohen nga ndryshimet e qeverive apo liderëve politikë.

“Duhet të kemi dy liga: një për çështjet qeverisëse dhe një ligë nacionale, ku të gjithë vendimmarrësit mbrojnë interesin kombëtar”, u shpreh ai.

Haradinaj vlerësoi gjithashtu përmirësimet e Shqipërisë në fushën e sigurisë, duke e cilësuar vendin si një partner të besueshëm ndërkombëtar. Ai shtoi se ka pasur marrëdhënie të mira edhe me figura të tjera politike shqiptare si Ilir Meta dhe Sali Berisha.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb