Alarm në kampin Brazilian, pak ditë nga nisja e Kupës së Botës 2026. Sulmuesi Neymar është ndalur sërish për shkak të një problemi fizik, vetëm pak ditë pasi u përfshi nga Carlo Ancelotti në listën e lojtarëve për Botërorin e ardhshëm. Braziliani pësoi një dëmtim gjatë stërvitjes me Santos dhe mungoi në ndeshjen e Copa Sudamericana ndaj San Lorenzo.
Sipas stafit mjekësor të Santosit, bëhet fjalë për një edemë të lehtë në pulpë dhe rikuperimi pritet të zgjasë rreth dhjetë ditë. Në kampin e Brazilit mbetet optimizëm që Neymar do t’i bashkohet skuadrës javën e ardhshme.
Ndërkohë, sfida e vërtetë për yllin brazilian pritet të jetë përshtatja me rregullat e reja të vendosura nga Ancelotti. Trajneri italian ka vendosur disiplinë të rreptë në kombëtare: Neymar nuk do të jetë kapiten, vendi në formacion duhet fituar në stërvitje, ndërsa përdorimi i rrjeteve sociale gjatë turneut do të kufizohet ndjeshëm. Një mesazh i qartë nga Ancelotti për Brazilin e ri: askush nuk është mbi skuadrën.
