Ukraina duhet të marrë një “anëtarësi të asociuar” në Bashkimin Evropian si një hap vendimtar në rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë, ndërsa Ballkani Perëndimor dhe Moldavia gjithashtu mund të afrohen me BE-në dhe procesi i tyre i pranimit të përshpejtohet.
Kjo është kërkesa që kancelari i Gjermanisë Friedrich Merz u beri liderëve të BE-se përmes një letre drejtuar atyre. Në letër, Merz propozon një dinamikë të re pranimi në BE për kandidatët aktualë – Ukrainën, Ballkanin Perëndimor dhe Moldavinë. Kjo sepse, siç shkruan ai, zgjerimi i Bashkimit Evropian është një domosdoshmëri gjeopolitike, por edhe një proces që zgjat “shumë shumë”.
Në pjesën e parë të letrës, duke u përqendruar në Ukrainë, Merz propozon një model “anëtarësie të asociuar”. Ndërsa Ukraina duhet të bëhet një shtet anëtar i plotë, është e qartë, sipas Merz, se procesi i pranimit nuk do të përfundojë së shpejti.
“Megjithatë…, nuk kemi kohë për vonesa të mëtejshme. Tani është koha për të ecur me guxim me integrimin e Ukrainës në BE përmes zgjidhjeve inovative si hapa të menjëhershëm përpara”, shkruan ai.
Në pjesën vijuese të letrës, kancelari gjerman pohon se Bashkimi Evropian duhet të qëndrojë i vendosur në premtimin e tij se vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavia mund të bashkohen me Bashkimin Evropian.
“Unë sugjeroj që të shqyrtojmë zgjidhje inovative edhe për ato vende kandidate që janë përgatitur për pranimin e tyre prej kohësh, dhe që të përshpejtojmë edhe procesin e tyre të pranimit. Së bashku me kolegët, do të vazhdoj të punoj për këtë”, shkruan Merz.
Ai propozon që BE-ja mund të parashikojë edhe për këto vende hapa të konsiderueshëm në rrugën e tyre drejt anëtarësimit, me, për shembull, akses të privilegjuar në Tregun e Brendshëm dhe lidhje më të ngushta me institucionet evropiane në procesin e përditshëm të vendimmarrjes.
