Me peshën e lavdisë së 32 roleve në kinematografi dhe 12 të tjerave në teatër, “Mjeshtri i Madh” Birçe Hasko mbylli sytë përgjithmonë në moshën 84-vjeçare.

Artist në skenë dhe profesor që në gjenezë, artin skenik “Artisti i Merituar” e përcolli me mjeshtëri te breza të tërë studentësh në Akademinë e Arteve, ku shërbeu si pedagog dhe dekan për disa vite me radhë.

I lindur në Dukat, Birçe Hasko shërbeu si mësues dhe drejtor në shkollat e disa fshatrave në Vlorë e Tepelenë deri në vitin 1965, kur u shkëput për të kryer studimet e larta për aktor gjatë viteve 1965-1969 në Institutin e Lartë të Arteve. Në përfundim të studimeve, Hasko vijoi punën si pedagog i Mjeshtërisë së Aktorit në Akademinë e Arteve, duke mos iu ndarë asnjëherë mësimdhënies dhe skenës.

Me një plastikë të jashtëzakonshme, origjinal, elegant, i drejtpërdrejt, herë-herë shpotitës, hijerëndë e serioz, Birçe Hasko interpretoi në filmat: “Kur zbardhi një ditë” në rolin e ballistit Sulo, në “Malet me blerim mbuluar”, “Njeriu me top”, “Koncert në vitin 1936”, “Radiostacioni”, “Dhe vjen një ditë, “Përrallë nga e kaluara”, “Shkëlqim i përkohshëm”, “I dashur armik”, “Shi në plazh” etj.. Roli i tij i fundit është ai në filmin “Kronikë Provinciale” në vitin 2009.

Po ashtu, Birçe Hasko ka inskenuar shumë etyde, fragmente, si dhe 18 vepra dramatike të plota, duke përplotësuar kështu imazhin e artistit shumëdimensional.

Homazhet në nderim të Tij do të mbahen më 24 maj në Akademinë e Arteve, për profesorin që do të rrëmbejë duartrokitjet e fundit nga auditorët që iu kushtoi jetën.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb