Më 18 maj, kancelari gjerman Merz, në një letër për tre drejtuesit e Bashkimit Europian propozonte që gjashtë shtetet Ballkanit Perëndimor, përfshi Shqipërinë, si dhe Ukraina e Moldavia të mos anëtarësoheshim fillimisht me të drejta të plota në BE si p.sh. Kroacia, e pranuar në v2013, që është rasti i fundit i anëtarësimit të rregullt. Z. Merz rimerrte ide të njohura të anëtarësimit me faza, një nismë për të cilën kemi shkruar shpesh në tre vitet e fundit, por edhe i detajonte ato.

Për anëtarët e rinj ai propozon anëtarësi me të drejtë fjale por pa të drejtë vote në tre organet europiane: në Komision (me komisionerë pa portofol), në Këshill e në Parlament) si dhe adoptim hap pas hapi të acquis communautaire (legjislacionit të BE-së), akses gradual në Tregun e Përbashkët shoqëruar me rritjen e financimit nga Brukseli, sesione peridike BE/neo-anëtar dhe mekanizma korrigjues nëse neo-anëtari bën regres në vlerat themelore europiane. Kancelari shprehet gjithashtu se kjo anëtarësi e pjesëshme në një moment të dytë do të shndërrohet në anëtarësi të plotë.

Screenshot 240
Screenshot 240

Po kështu para pak ditësh pesë shtete anëtare të BE (Austria, Çekia, Italia, Slovakia e Sllovenia) në një notë të brendshme drejtuar Komisionit Europian i sugjeruan gjithashtu një integrim me faza si p.sh. në Tregun e Përbashkët duke nisur me energjinë, transportin e politikat digjitale.

Të pretendosh mbas shumë sinjaleve në këto tre vite, përfshi edhe këto të fundit, se Shqipëria do të negociojë e mbyllë 35 kapitujt dhe në vijim do të anëtarësohet njëlloj siç ndodhi me kandidatët e anëtarësuar në tre dekadat e fundit të kujton strucin me kokën e zhytur në rërë. Pretendimet e qeverisë Rama se do konkudojë negociatat në v2027 dhe, mbas ratifikimeve të nevojshme, do të arrijë anëtarisimin në v2030 janë jo vetëm jorealiste por edhe absurde në mos qesharake për një vëzhgues të jashtëm. Për dikë që vëzhgon nga brenda vendit duket qartë se kjo temë përdoret kryesisht për propagandë. Fakti që Komisionerja për Zgjerimin ka insinuar se afatet 2027/2030 janë të mundëshme nuk ka ndihmuar as perspektivën realiste të anëtarësimit dhe as perceptimin e Komisionit si organ serioz.

Muajin e shkuar morëm lajmin e mirë se BE dhe Mali i Zi krijuan një grup pune për traktatin e anëtarësimit çka duket se po devijon nga trendi i anëtarësimit me faza dhe po qendron ne modelin “kroat”. Por koha do të tregojë nëse Podgorica do të arrijë anëtarësinë e plotë duke mbetur përjashtimi që konfirmon rregullin në Ballkanin Perëndimor apo do ngecë me një anëtarësi gjysmagjel si pesë të tjerët.

Për Shqipërinë debati i mësipërm është i rëndësishëm por jo më i rëndësishmi. Vendi ynë ishte një republikë kushtetuese në vitet 2005 e 2013; padyshim me imperfeksione si në përgjithësi demokracitë po ku ishte e mundur të ndryshoje pushtetin përmes votës. Dhe statusin kandidat për BE ne e morëm vetëm në v2014. Sot Shqipëria ndodhet nën një regjim autoritaro-kleptokrat por ama ka çelur të tëra kapitujt e negocimit me BE. Historia do e shikojë këtë si ironi të madhe e si relativizim të vlerave europiane.

Ndihma e më e madhe që mund të japë BE do të ishte për restaurimin e vlerave bazë kushtetuese. Për këtë Brukseli ka një parim të neglizhuar e madje të harruar në 12 vitet e fundit: kondicionalitetin.

Episodi i fundit me IBAR-in, pezullimi i tij për pesë muaj dhe rreptësimi i gjuhës përfshi edhe për zgjedhjet, në tekstin e fundit të Këshillit tregon se ka ende shpresë që proçesi i negociatave, përtej teknikalitetit e burokracisë, të mund të jetë në thelb i dobishëm. Dhe për këtë zgjim të vonuar të Bashkimit Europian lipset që të themi me pak sarkazëm “Ju faleminderit Rama & Balluku”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: