Mijëra protestues u mblodhën sot pasdite në qendër të Beogradit për të kërkuar zgjedhje të reja parlamentare, duke synuar t’i japin një shtysë të re lëvizjes kundër korrupsionit që lindi pas shembjes tragjike të stacionit hekurudhor në Novi Sad në nëntor të vitit 2024.

Që nga ajo ngjarje, protestat në Serbi nuk janë ndalur plotësisht.

 

Lëvizja ka njohur periudha mobilizimi masiv, si protesta e marsit 2025 ku morën pjesë rreth 300 mijë persona, por edhe faza me pjesëmarrje më të ulët.

Studentët në bllokadë dhe qytetarët që i mbështesin ata u mblodhën në Fakultetin e Bujqësisë. Studentët, të cilët morën shpejt drejtimin e protestave, shpresojnë se manifestimi i sotëm do ta ringjallë vrullin e protestës dhe do ta shtyjë presidentin Aleksandar Vuçiç të shpallë zgjedhje të parakohshme.

Nën sloganin “Studentët fitojnë”, organizatorët u bënë thirrje qytetarëve të mblidhen në sheshin ”Slavija”, në zemër të kryeqytetit serb, ku janë zhvilluar edhe protestat më të mëdha gjatë 18 muajve të fundit.

 

“Qëllimi i protestës së sotme është të mblidhemi sërish të gjithë bashkë dhe t’i tregojmë kujtdo se jemi ende këtu, se vazhdojmë të luftojmë dhe të punojmë dhe se nuk do të ndalemi”, tha Andjela, 24 vjeçe, studente e arkitekturës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: