Presidenti i Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Donald Trump deklaroi se Uashingtoni dhe Irani janë shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje që synon t’i japë fund luftës në Lindjen e Mesme.

Trump paralajmëroi se nëse negociatat dështojnë, situata mund të përshkallëzohet ndjeshëm.

“Nëse SHBA-ja dhe Irani nuk arrijnë një marrëveshje, do të ketë një situatë ku asnjë vend nuk do të goditet aq fort sa është gati të goditet”, u shpreh presidenti amerikan.

Më herët, dy zyrtarë rajonalë dhe një diplomat, duke folur në kushte anonimiteti, konfirmuan se një marrëveshje mbi një memorandum mirëkuptimi për përfundimin e luftës konsiderohet e arritshme.

Nga ana tjetër, Irani sinjalizoi “ngushtimin e dallimeve” në negociatat me SHBA-në, ndërsa shefi i ushtrisë së Pakistanit zhvilloi bisedime të tjera në Teheran.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi nga India se “janë bërë disa përparime” dhe se “mund të ketë lajme”.

Sipas zyrtarëve të përfshirë në konsultime, një vendim përfundimtar mbi propozimin e hartuar nga Pakistani mund të merret brenda 48 orëve, ndërsa të dyja palët vijojnë shqyrtimin e draftit.

Megjithatë, si Irani ashtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mbajtur qëndrimet e tyre kryesore dhe kanë paralajmëruar për rreziqet e një rifillimi të sulmeve.

Ndërkohë, televizioni shtetëror iranian citoi zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme, Esmail Baghaei, i cili e cilësoi draftin aktual si një “marrëveshje kornizë”.

“Ne duam që kjo të përfshijë çështjet kryesore të nevojshme për t’i dhënë fund luftës së imponuar dhe çështje të tjera me rëndësi thelbësore për ne. Më pas, brenda një periudhe 30 deri në 60 ditë, do të diskutohen detajet për të arritur një marrëveshje përfundimtare”, deklaroi Baghaei.

Shtetet e Bashkuara dhe Irani pritet të njoftojnë deri të dielën pasdite finalizimin e një draft-marrëveshjeje paqeje për t’i dhënë fund konflikteve në të gjitha frontet, sipas Washington Times.

I njëjti burim tha se drafti u miratua të shtunën dhe pritet të paraqitet zyrtarisht brenda 24 orëve të ardhshme.

Sipas raportit, negociatorët kryesorë, përfshirë Kryetarin e Parlamentit iranian Mohammad Ghalibaf, Zëvendëspresidentin e SHBA-së J. Vance, të dërguarin special Steve Witkoff dhe Jared Kushner, e kanë miratuar tekstin.

Draft-marrëveshja u është dërguar udhëheqësve të të dy vendeve për miratim përfundimtar.

Nëse arrihet një marrëveshje, armëpushimi i gjashtë javëve të fundit mund të shndërrohet në një paqe të përhershme, megjithëse Donald Trump e ka lënë të hapur mundësinë e sulmeve të reja ushtarake.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb