Janik Siner foli në kon ferencën për shtyp të turneut grand slam “Roland Garros”, ku në raundin e parë do të përballet me francezin Clement Tabur, i futur në tabelë falë një “wild card”. Numri një i botës u shfaq më i karikuar se kurrë dhe do të kërkojë suksesin e parë në kryeqyteti francez, për të kompletuar pokerin me 4 ture të mëdha.
“Ndjehem gati. Ka qenë një periudhë shumë pozitive. Është më mirë të ndihesh i lodhur sepse po fiton, sesa të jesh në formë të shkëlqyer dhe të eliminohesh pas pak raundesh”, u shpreh fillimisht tenisti italian, i cili më tej shtoi: “Tani po përpiqem të gjej ekuilibrin e duhur në stërvitje dhe të kuptoj edhe momentin kur duhet të shtyj më shumë”, tha Siner, fitues i fundit në Internacionalet e Italisë në Romë. “Jam shumë i lumtur që jam rikthyer këtu.
‘Roland Garros’ ka qenë gjithmonë një turne shumë i veçantë për mua që nga hera e parë kur kam luajtur këtu. Mendoj gjithashtu se entuziazmi të ndihmon të gjesh më shumë energji gjatë turneut. Të gjithë përpiqen të të mposhtin, dhe kjo është gjëja më normale në botë”, shpjegoi Siner. “Duhet të jesh i përgatitur. Ndeshjet me pesë sete janë ndryshe, ke më shumë kohë për të kuptuar si ta përballosh kundërshtarin dhe, edhe nëse e nis keq, mund të gjesh një zgjidhje. Do të shohim. Jam i sigurt se do të kem përpara ndeshje shumë, shumë të vështira. Mundohem të përqendrohem te vetja ime”. Më pas, Siner tregoi edhe për javën e shkurtër të kaluar në shtëpi pas dy javëve triumfuese në Romë:
“Kalova disa ditë me prindërit e mi. U përpoqa të rikuperohesha pak. Të luaja në Itali ishte një motivim shtesë, po ashtu edhe fakti që ai ishte i vetmi ‘Masters 1000’ që më mungonte. Problemi me këto turne më të gjata është se, nëse humbet njërin, nuk humbet vetëm një javë, por praktikisht mbetesh jashtë për dy javë, dhe kjo është shumë kohë. Prandaj duhet të mbërrish këtu me një numër të mirë ndeshjesh të luajtura”, përfundoi Janik Siner. Italiani do të debutojë të dielën në orën 11:00 në “Roland Garros” kundër francezit Clement Tabur.
