Napoli e mbyll me fitore këtë sezon, “thyen” 1-0 Udinesen duke blinduar vendin e dytë në Serie A. Goli i Hojlund rezultoi përcaktues për t’i dhuruar Conte-s një fund të lumtur pasi kjo ishte ndeshje e tij e fundit në stolin e bluve. Pas ndeshjes, në konferencë për shtyp, në krah të presidentit De Laurentiis, Conte bëri zyrtare këtë vendim që me sa duket ishte marrë kohë më parë:
“Një muaj më parë takova presidentin, por nuk i kërkova asgjë, nuk e pyeta as për projektin e ri, për asgjë. Unë e ndjeja që rrugëtimi im këtu kishte përfunduar, për këtë arsye nuk kërkova asgjë, thjesht njoftova presidentin për vendimin që kisha marrë. De Laurentiis më tha vetëm se nëse ndryshoja mendim deri ditën e fundit ishte në dispozicionin tim”, u shpreh Conte.
Në të njëjtën linjë me trajnerin ishte edhe presidenti i Napolit: “I thash Contes, këtu është shtëpia jote, por nëse nuk ndihesh mirë, nëse nuk je i lumtur me kampionatin, me sistemin etj. Napoli nuk është as Real Madrid, as Barcelona, as Bayer Munich, e as një prej 5 ekipeve të mëdha në Premier League. Ne duhet të respektojmë disa buxhete, disa limite që nuk mund t’i kalojmë”, theksoi De Laurentiis.
Në fund, Conte e mbylli konferencën duke shtuar se momenti i tij më i bukur në krye të Napolit ishte festa e titullit kampion përballë publikut të tyre. Në dy këto dy sezone e kemi mbyllur përpara Milan dhe Juventus, besoj ky është një motiv krenari, u shpreh ndër të tjera Conte në konferencën e tij të fundit si trajneri i Napolit.
