Një aksident i pazakontë është regjistruar në Göteborg të Suedisë, ku një autobus autonom u përplas me një tramvaj vetëm pak kohë pasi kishte nisur transportin e pasagjerëve në kuadër të një projekti pilot për transport publik pa shofer.
Autobusi elektrik autonom “e-ATAK”, i prodhuar nga kompania turke Karsan, u përfshi në incident të hënën, gjë që u konfirmua edhe nga operatori rajonal i transportit publik Västtrafik.
Sipas përfaqësuesve të kompanisë, autobusi frenoi në mënyrë të menjëhershme gjatë lëvizjes dhe më pas u godit nga tramvaji që po qarkullonte pas tij. Për fat të mirë, nga përplasja nuk pati të lënduar.
Ngjarja ndodhi gjatë fazës së parë të një programi njëvjeçar që synon të testojë përdorimin e mjeteve autonome në transportin urban të qytetit suedez. Projekti shihet si një hap drejt modernizimit të transportit publik, por incidenti ka ngritur dyshime mbi sigurinë dhe funksionimin e këtyre sistemeve në kushte reale trafiku.
Pamjet e publikuara nga mediat suedeze treguan autobusin me dëmtime në pjesën e përparme. Në pjesën e pasme të tij ishte vendosur edhe një paralajmërim për drejtuesit e tjerë: “Mbani distancë! Autobusi mund të frenojë papritur”.
Autoritetet suedeze bënë të ditur se në autobus ndodhej edhe një shofer sigurie, i cili kishte për detyrë të ndërhynte në rast emergjence. Megjithatë, ende nuk dihet nëse ai mori kontrollin e mjetit përpara përplasjes apo nëse sistemi autonom reagoi vetë.
Västtrafik njoftoi se hetimet për shkaqet e aksidentit vazhdojnë dhe ekspertët po analizojnë të dhënat teknike të autobusit për të kuptuar arsyen e frenimit të papritur.
Ndërkohë, kompania Karsan nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar lidhur me incidentin. Ngjarja ka rikthyer diskutimet në Evropë mbi sfidat dhe rreziqet që lidhen me përdorimin e automjeteve autonome në rrugë të përbashkëta me mjete të tjera dhe këmbësorë, ndërsa specialistët theksojnë se teknologjia ka ende nevojë për testime të gjera përpara përdorimit në shkallë të gjerë.
