Presidenti amerikan Donald Trump ka nisur një sulm të ri verbal ndaj udhëheqjes iraniane, duke akuzuar Teheranin për qëndrime kontradiktore në raportet me Shtetet e Bashkuara.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Trump pretendoi se autoritetet iraniane po kërkojnë një takim me Uashingtonin, ndërsa njëkohësisht deklarojnë publikisht se nuk janë në negociata me SHBA-në dhe se komunikimi i tyre bëhet vetëm përmes Omanit.
“Disa do të thoshin se po luten për një takim”, u shpreh Trump, duke e cilësuar sjelljen e Teheranit si “tepër dyfytyrëshe”.
Presidenti amerikan komentoi gjithashtu edhe situatën në Ngushticën e Hormuzit, duke hedhur poshtë pretendimet e Iranit se kontrollon këtë zonë strategjike detare. Sipas Trump, lundrimi në këtë rajon është nën mbikëqyrjen e plotë të Marinës së Shteteve të Bashkuara.
Ai deklaroi se asgjë nuk mund të arrijë në Iran pa miratimin amerikan dhe se kjo situatë do të vijojë deri në arritjen e një marrëveshjeje, ose siç e përshkroi ai, një “dorëzim të plotë”.
Trump tha se bisedimet synojnë të zgjidhin një problem që, sipas tij, është krijuar nga udhëheqja iraniane gjatë dekadave të fundit.
Në fund të reagimit të tij, presidenti amerikan përsëriti qëndrimin e Uashingtonit për programin bërthamor të Iranit, duke deklaruar se “Irani nuk do të ketë kurrë një armë bërthamore”.
