Kreu i Partisë Demokratike , Sali Berisha deklaroi se raporti i IBAR për Shqipërinë u miratua për arsye gjeopolitike, por sipas tij, përmbajtja e dokumentit përbën një goditje të fortë ndaj qeverisë së Edi Rama.

Gjatë një fjalimi para mbështetësve demokratë, Berisha u shpreh se kryeministri është “tmerruar” nga referendumi i organizuar nga opozita, duke e cilësuar atë si provë të forcës dhe vendosmërisë së demokratëve.

“Nesër, Edi Rama shkon në Bruksel për konferencën ndërqeveritare për IBAR-in. Nuk ka dokument ndërkombëtar në historinë e këtij vendi ku qytetarët të jenë përfaqësuar më dinjitet se në këtë raport”, deklaroi Berisha.

Ai akuzoi qeverinë se raporti evidenton korrupsionin, lidhjet me oligarkët, kartelet e drogës dhe censurën.

Sipas Berishës, Bashkimi Europian e ka lejuar avancimin e procesit për shkak të interesit strategjik që rajoni t’i bashkohet BE-së, por kjo nuk e zbeh, sipas tij, përmbajtjen kritike të raportit.

Pjesë nga fjala e Berishës;

Edi Rama, referendumi i demokratëve të ka tmerruar.
E ke ndjerë gjer në palcë.
Bëre gjithçka ta përbaltësh, por të dhanë përgjigjen më të merituar.
Në mënyrë të përsëritur kemi theksuar se ne jemi shpresa e fundit.
Por, e shtuna provoi se ne jemi shpresa më e fuqishme.
Se ne në këtë kilometrin e fundit do të përmbushim me nder dhe dinjitet misionin tonë.
Nesër, Edi Rama shkon në Bruksel për konferencën ndërqeveritare për IBAR-in.
Miq, nuk ka dokument ndërkombëtar në historinë e këtij vendi, në të cilin ju qytetarë dhe qytetare të Tiranës, të jeni përfaqësuar më dinjitet se sa njerëz, në atë sallë, në atë forum, pasi raporti lobimit korruptiv u përmbys dhe raporti i ri është raporti në të cilin Edi Rama gjen Lubi Ballukun.
Edi Rama gjen Lindat e tij të përdëllyera dhe të përdëlira.
Edi Rama gjen kartelet e drogës, gjen mafien, gjen oligarkët, gjen censurën, gjen gjithçka për të cilat ju keni protestuar.
Po!
Natyrisht ndokush mund të pyesë po pse atëherë u vendos të kalojë?
Po, ka një faktor gjeopolitik dhe ky rajon do i përkasë BE dhe ky është një vlerësim jashtëzakonisht i drejtë historik dhe me interes shumë të madh për kombet tona.
Por me përmbajtjen e tij, Edi Rama është në rreth të kuq.
Në përmbajtjen e tij, si në asnjë rast tjetër, kreu i Meduzës, nga alfa tek omega, demaskohet për atë që është.
Do dëgjoni ju, mos u çudisni të dëgjoni se Edi Rama i tillë dhe i atillë.
Por ne jemi mësuar me këto.
Tani zëri ynë është më i fortë se kurrë.
Absolutisht.
Vullneti ynë është më i fuqishëm se kurrë.
Vendosmëria jonë është më e madhe se kurrë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: