Ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku u takua me homologun e tij shqiptar, Ermal Nufi ku diskutuan diskutuar thellimin e marrëdhënieve dypalëshe në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Në deklaratat për mediat pas takimit, Dendias u shpreh se bisedimet u fokusuan te forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve, sfidat gjeopolitike në rajon dhe koordinimi brenda NATO.

“Pata kënaqësinë të takohesha me homologun tim shqiptar, Ermal Nufi. Diskutuam thellimin e marrëdhënieve tona të mbrojtjes dhe e ftova të vizitojë Athinën në fund të muajit të ardhshëm”, deklaroi ministri grek.

Sipas tij, Shqipëria dhe Greqia duhet të bashkëpunojnë më ngushtë përballë zhvillimeve në rajon, ndërsa përmendi edhe mundësinë e shkëmbimit të eksperiencave në fushën e sigurisë kibernetike, pas sulmeve që Shqipëria ka përjetuar në vitet e fundit.

Pas ceremonisë zyrtare në Ministrinë e Mbrojtjes, delegacionet e dy vendeve zhvilluan një takim të zgjeruar, ku në fokus ishin marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet rajonale dhe procesi i integrimit europian të Shqipërisë.

Dendias theksoi gjithashtu rëndësinë e respektimit të të drejtave të pakicës kombëtare greke në Shqipëri, duke e cilësuar atë “një shtyllë paqeje, sigurie dhe progresi për rajonin”.

Dy ministrat ranë dakord edhe për mbledhjen e menjëhershme të Komitetit të Përbashkët të Ekspertëve për Varrezat Ushtarake, si pjesë e bashkëpunimit historik dhe institucional mes dy vendeve.

Gjatë vizitës në Tiranë, ministri grek u prit edhe nga kryeministri Edi Rama. Në takimin mes tyre u diskutua situata gjeopolitike në rajon dhe në Mesdheun Lindor, ndërsa Dendias përmendi edhe origjinën familjare nga Himara.

Ai përsëriti qëndrimin se pakica kombëtare greke përbën një urë miqësie mes dy popujve.

Në përfundim të vizitës, Dendias zhvilloi një takim edhe Kryepeshkopin Imzot, Joan, si dhe vizitoi varrin e të ndjerit Anastas Janullatos në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb