Prokurori i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Vladimir Mara, ka deklaruar se grupet kriminale shqiptare po bashkëpunojnë gjithnjë e më ngushtë me struktura të krimit të organizuar në Itali, duke krijuar forma të reja bashkëpunimi dhe duke “modernizuar” metodat e veprimtarisë së tyre.
Sipas tij, krimi i organizuar nuk funksionon më i ndarë sipas kombësive apo grupeve të veçanta, por është shndërruar në një rrjet më të gjerë ndërkombëtar që operon në mënyrë të integruar. Deklaratat u bënë gjatë një konference të përbashkët mes SPAK dhe Prokurorisë së Barit, ku u prezantuan rezultatet e një operacioni kundër një grupi të drejtuar nga Igli Kamberi, që vepronte në Shqipëri dhe Itali. Gjatë hetimeve janë sekuestruar rreth 1 milion euro, biznese dhe llogari bankare.
Vladimir Mara theksoi se lidhjet mes grupeve kriminale shqiptare dhe atyre italiane kanë krijuar modele të reja bashkëpunimi, duke rritur sofistikimin e aktiviteteve të paligjshme. Ai shtoi se sot nuk mund të flitet më për krim të organizuar të kufizuar sipas kombësive, por për një fenomen ndërkombëtar, ku bashkëpunimi mes autoriteteve të vendeve të ndryshme është thelbësor për goditjen e rrjeteve kriminale.
