Është mbajtur në Tiranë konferenca rajonale për transformimin digjital, sigurinë juridike të pronës dhe integrimin europian.
Në fjalën e tij, Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e këtij momenti për Shqipërinë, duke e lidhur konferencën me përmbylljen e fazës së parë të negociatave me Bashkimin Europian dhe kalimin në fazën e dytë të procesit të anëtarësimit.
Sipas Ramës, përmbushja e piketave të ndërmjetme dhe përcaktimi i objektivave përmbyllës janë elementë kyç, veçanërisht në grupkapitujt themelorë të negociatave.
Ai nënvizoi se transformimi digjital përbën një faktor vendimtar në përshpejtimin e reformave dhe të procesit të integrimit, duke shtuar se teknologjia e re ka krijuar mundësi të reja zhvillimi për vendin.
Duke u ndalur te çështja e pronës, Rama e cilësoi atë si një nga sfidat më komplekse në Shqipëri dhe rajon, duke kujtuar kalimin nga sistemi i pronës shtetërore në periudhën e komunizmit drejt një sistemi të ri privat, si dhe ndikimet e tranzicionit pas viteve ’90 në administrimin e territorit dhe të drejtave pronësore.
“Kjo konferencë e rëndësishme lidhur me një temë të ndjeshme për ne në Shqipëri përkon me një moment të rëndësishme, që ka të bëjë me fundin e fazës 1 të negociatave Shqipëri-BE dhe nisjen e fazës tjetër, pra mbylljen e kapitujve,.
Siç mund ta keni të qartë, përmbushja e piketave të dnërmjetme nga Shqipëria dhe përcaktimi i piketave përmbyllëse është element shumë thelbësor sidomos grupkapitujve të themelorëve.
Transformimi digjital është një element përcaktues sa I përket ritmit dhe shpejtësisë së procesit. Për vende si i yni teknologjia e re na ka sjellë bekim të re dhe na ka lejuar të bëjmë hapa që nuk do t’i bënim dot. Na lejon gjithashtu të përfitojmë nga avantazhet e kalimit nga një epokë e progresit linear, në atë eksponencial.
Sa për çështjen komplekse në Shqipëri, pronat, nuk ka një vend në rajon ku një çështje si prona është më me vështirësi.
Kalimi nga një vend me pronë tërësisht shtetërore, ku prona private nuk lejohej dhe nuk lejohej as të ëndërroje një automjet privat, kaluam në një fazë ku shteti humbi kontrollin mbi territorin dhe pati një bum demografik pas rënies të regjimit komunist. Kjo ndikoi në perceptimin e pronës”, tha ai.
