Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka deklaruar se do të vijojë takimet me demokratët në të gjithë vendin, ndërsa ka kritikuar mënyrën sesi po funksionon aktualisht PD-ja dhe mungesën e garës së brendshme.
Salianji u shpreh se përjashtimi i mendimit ndryshe nuk duhet të jetë pjesë e Partisë Demokratike, duke theksuar se një forcë politike që nuk pranon konkurrencën brenda vetes nuk mund të pretendojë standarde demokratike. Sipas tij, PD-ja kërkon standarde demokratike përballë qeverisë së Edi Rama, por nuk po i zbaton ato brenda strukturave të saj.
Salianji shtoi se realiteti politik tregon, sipas tij, refuzimin e Berishës nga një pjesë e demokratëve, duke pretenduar se kjo është arsyeja pse nuk pranohet gara e hapur brenda partisë.
Ai paralajmëroi se Partia Demokratike, më pak se një vit para nisjes së fushatës elektorale, duhet të reflektojë mbi mënyrën se si do t’u paraqitet qytetarëve si alternativë qeverisëse. Në fund, Salianji theksoi se beteja e tij nuk lidhet me interesa personale apo poste politike. “Përjashtimi i mendimit ndryshe nuk është pjesë e PD. Një parti që nuk pranon garën brenda vetes, nuk plotëson standardet. Por ne kërkojmë standarde përballë Edi Ramës por nuk i plotësojmë vetë ato. E kemi nevojë për një PD ku respektohen rregullat. Shoqëria ka nevojë për një PD që respektohen rregullat, ku gara është reale. Realiteti politik tregon refuzimin e Berishës nga demokratët. Ja ku është realiteti i faktuar, Berisha është i braktisur nga demokratët, ndaj nuk pranon garë. PD më pak se një vit nga sot, do të jetë në fushatë elektorale, por se di ca do i thotë elektoratit. PD duhet të rikthehet te standardet demokratike. Nëse duam që të bindim shqiptarët të demokratizojmë Shqipërinë, duhet që PD të demokratizojë vetveten. Një PD e hapur mund të kthehet si alternativë fituese. Kjo betejë nuk është betejë për një karrige. Nuk kam pasur asnjë problem për karrierën time.”, tha ai.
Ish-deputeti demokrat theksoi se Berishën nuk e ka uruar asnjë nga partitë simotra të djathta, pas rikonfirmimit të tij të shtunën e 23 majit.
“Sali Berisha ka ndërtuar një parti me uzurpim, e cila s’ka asnjë lidhje me partitë demokratike, e uruan vetëm vartësit e vet. Është i pari kryetar partie që urohet nga vartësit e vet. Dhe fishekzjarret që hodhi Edi Rama pas zgjedhjes së Sali Berishës. Sa u konfirmua uzurpimi plasën fishekzjarret nga Parlamenti për festën e madhe që ai ka sa herë dobësohet opozita. Njëri sillet si pronar i Shqipërisë, tjetri pronar i PD. Kam informuar të gjithë faktorin ndërkombëtar, PPE-të, padiskutim që më vjen keq për demokratët që kanë kryetar uzurpator që nuk e urojnë as partitë PPE, partitë aleate, as ato në rajon, por urohet nga vartësit. Por më vjen mirë që PPE nuk pranon që të shkelen standardet dhe nuk kanë patur asnjë urim për uzurpimin e PD”, tha Salianji, duke njoftuar takimin e radhës me demokratët, të premten në Tiranë.
Salianji shtoi se PD ndodhet “në dëshpërim”, ndërsa përgjegjës bëri edhe kolegët demokratë që sot heshtin. Sipas tij, Berisha është i refuzuar nga demokratët.
“Do të çmontoj klanin Rama-Berisha. Do të jem brenda PD. Ai është i përjashtuar nga demokratët. Unë kam publikuar vendimin e Gjykatës Britanike ku thuhet; Berisha është i lidhur me krimin dhe përdor atë për politikë. Unë me kë jam lidhur? A thuhet në ndonjë dokument? Unë do të jem në takim të premten. Shërbimet që kontrollohen nga Edi Rama, na kanë thënë se do e marrë sallën të shtunën Berisha. Ndaj duke mos gjetur salla, do e bëjmë në shesh takimin. Unë s’dua ta çoj çështjen në Gjykatë. Do të jem me qytetarët e Tiranës, ditën e premte, sapo të gjejmë vend, pasi e kanë me merak mos i prishet takimi doktorit.”, tha ai.
