Zgjerimi i operacioneve tokësore të Izraelit në Libanin jugor, pavarësisht armëpushimit formal, po e shtyn konfliktin me Hezbollahun, drejt një faze edhe më të rrezikshme dhe të paparashikueshme.

Sipas ushtrisë izraelite, veprimet synojnë neutralizimin e “kërcënimeve direkte” ndaj civilëve dhe ushtarëve izraelitë, por në terren situata po merr trajtën e një ofensive të zgjeruar ushtarake.

Autoritetet shëndetësore në Bejrut kanë raportuar viktima nga sulmet ajrore, në juglindje të vendit, ndërsa burime të sigurisë libaneze informuar për intensifikim të goditjeve dhe për mundësinë e zgjerimit të operacioneve, më në veri të Libanit.

Paralelisht, janë raportuar dhjetëra sulme pas thirrjeve për evakuim në qytetin Nabatieh, duke rritur frikën për një ofensivë afatgjatë në jug të Libanit.

Në Liban po rikthehet një shqetësim historik, “ideja e një pushtimi të mundshëm të zgjatur izraelit”, duke sjellë në kujtesë ndërhyrjen e vitit 1982 dhe tërheqjen e forcave izraelite nga Libani jugor në vitin 2000.

Kjo frikë ushqehet edhe nga raportimet se trupat izraelite po operojnë përtej të ashtuquajturës “Vija e Verdhë”, si dhe nga pretendimet për luftime në veri të lumit Litani – një zonë që sipas marrëveshjeve të mëparshme, duhej të ishte nën kontroll të reduktuar ushtarak.

Hezbollahu, nga ana e tij, ka intensifikuar sulmet me raketa dhe dronë, ndërsa Izraeli ka raportuar sulme të reja me pajisje shpërthyese ajrore.

Retorika politike në të dyja anët po ashpërsohet, me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu i cili paralajmëroi për intensifikimin e ofensivës ndaj Hezbollahut.

Rreziku më i madh i këtij përshkallëzimi, nuk është vetëm bilanci humanitar – i cili tashmë raportohet me mijëra viktima që nga marsi – por zgjerimi i konfliktit në një luftë rajonale më të gjerë.

Përplasja Izrael–Hezbollah mbetet e lidhur ngushtë me tensionet më të mëdha SHBA–Iran, duke e bërë çdo përshkallëzim në Liban, një faktor destabilizues për gjithë Lindjen e Mesme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: