Të paktën një person ka vdekur dhe nëntë të tjerë rezultojnë të zhdukur pas një shpërthimi në një fabrikë letre në shtetin e Uashingtonit, SHBA, i ndjekur nga shembja e një rezervuari të madh të mbushur me një kimikat të fuqishëm.

Incidenti ndodhi në objektin e Nippon Dynawave Packaging Co. në Longview.

Sipas raporteve zyrtare, një rezervuar që përmbante afërsisht një milion gallonë (3.4 milion litra) lëng gërryes shpërtheu dhe struktura u shemb.

Nëntë persona të tjerë u plagosën nga rrjedhja, disa prej tyre rëndë. Midis të plagosurve ishte një zjarrfikës i cili ishte i përfshirë në operacionin e shpëtimit. Njerëzit pësuan djegie dhe dëmtime të frymëmarrjes nga thithja e kimikateve.

Departamenti i Zjarrfikësve i Longview tha se një pjesë e lëngut mbetet ende në rezervuarin e shembur, duke i bërë të vështira operacionet e kërkim-shpëtimit.

“Rezervuari është ende i paqëndrueshëm dhe paraqet një situatë të rrezikshme për shërbimet e emergjencës”, raportoi AP, duke cituar një deklaratë nga departamenti i zjarrfikësve. Ekipet e shpëtimit po punojnë për të përforcuar strukturën për të vazhduar operacionin.

Shërbimet përkatëse po hetojnë aktualisht shkaqet e incidentit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb