Autoritetet në Korenë e Jugut kanë arrestuar një YouTuber, i cili dyshohet se ka përdorur inteligjencën artificiale për të krijuar dhe shpërndarë materiale të rreme që implikonin aktorin e njohur Kim Soo-hyun në një lidhje të pretenduar skandaloze. Sipas mediave lokale, Kim Se-ui, drejtues i kanalit “Hover Lab” në platformën YouTube, akuzohet se ka manipuluar foto, mesazhe dhe regjistrime zanore të aktores së ndjerë Kim Sae-ron, për të ndërtuar pretendimin se ajo kishte pasur një lidhje me Kim Soo-hyun kur ishte e mitur, një akuzë që aktori e ka mohuar kategorikisht.
Gjykata e Qarkut Qendror të Seulit Gjykata e Qarkut Qendror të Seulit ka lëshuar urdhër arresti ndaj tij, duke argumentuar se ekzistonte rreziku që i dyshuari të asgjësonte prova ose të largohej nga vendi. Prokurorët dhe autoritetet hetimore kanë deklaruar se materialet e publikuara nga “Hover Lab” ishin të fabrikuara, përfshirë edhe një regjistrim audio të gjeneruar me AI, i cili pretendonte një lidhje romantike mes dy aktorëve. Hetimet kanë zbuluar gjithashtu manipulim të pamjeve të ekranit për të mbështetur narrativën e rreme.
Skandali ka pasur jehonë të madhe në Korenë e Jugut, duke dëmtuar rëndë imazhin publik të Kim Soo-hyun, i cili është një nga figurat më të njohura të industrisë së televizionit dhe reklamave në vend. Në deklaratat e tij, aktori ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se çdo pretendim për një lidhje me Kim Sae-ron kur ajo ishte e mitur është i pavërtetë. Ai ka ngritur gjithashtu padi për shpifje ndaj YouTuber-it dhe personave të tjerë të përfshirë në çështje.
Ndërkohë, vetë Kim Se-ui ka mohuar akuzat, duke pretenduar se arrestimi i tij është i padrejtë dhe se do të ndërmarrë veprime ligjore kundër autoriteteve.
