Autoritetet italiane goditën një organizatë shqiptare që merrej me trafik droge në zonën e L’Aquila. Në kuadër të këtij aksioni janë arrestuar 16 persona, ndërsa 40 të tjerë janë vënë nën hetim.

Hetimi për këtë operacion u koordinua nga prokurorja Roberta D’Avolio nën drejtimin e prokurorit të qarkut Alberto Sgambati, që nisi në janar 2025.

“Ne nuk u ndalëm vetëm te arrestimet individuale,” shpjegoi Major Massimo Canale, komandant i Kompanisë së Karabinierëve të L’Aquila-s.

Hap pas hapi hetuesit filluan ta rindërtonin mekanizmin. Sipas Prokurorisë, ekzistonin tre organizata të dallueshme kriminale, por të lidhura me njëra-tjetrën dhe mbi të gjitha, të lidhura me një strukturë operative në Shqipëri që menaxhonte rekrutimin, furnizimin me drogë dhe qarkullimin e vazhdueshëm të tregtarëve.

Të rinjtë u sollën në Itali me viza të rregullta turistike. Pasi mbërritën atje, ata morën mbështetje të plotë logjistike: makina me qira, telefona celularë, karta SIM dhe strehim të përkohshëm. Zgjedhja për të përdorur djem pa të kaluar kriminale ishte pjesë e vetë sistemit dhe mënyrës se si operonte banda kriminale.

“Ata ishin të rinj që kishin mbërritur ndoshta një ditë më parë, pa precedentë penalë”, shpjegoi prokurori D’Avolio në një konferencë për shtyp.

Makinat e përdorura ndërroheshin vazhdimisht. Linjat telefonike zgjasnin shumë pak. Kokaina fshihej në zona pyjore, në fshat dhe në periferi të L’Aquila-s.

Sipas Zyrës së Prokurorit italian, grupet vepronin kryesisht në L’Aquila dhe komunat përreth, por kishin edhe lidhje në Toskanë dhe Veneto.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb