Kreu i PD Sali Berisha deklaroi nga selia blu para nisjes së mbledhjes së Kryesisë se arsyeja se përse kryeministri Edi Rama pritet nga ndërkombëtarët është gjeopolitika.
Sipas tij Rama duhet të përballej me “damkosje dhe izolim”, ndërsa e cilësoi këtë si një realitet i cili duhet të kuptohet nga demokratët.
Sakaq, ai shtoi se ka besim të plotë se PD po ndjek rrugën e drejtë, “duke u përballur me të keqen”.
Berisha: Pra, beteja jonë është një betejë e një rëndësie vendimtare në kuptimin absolut të fjalës.
Dhe e vështirë sepse ne jemi në një situatë ku pavarësisht nga të gjitha këto, siç e shihni, për arsye gjeopolitike apo të tjera, Edi Rama në vend të një damkosje dhe izolimi të plotë për utilitarizëm pritet dhe përcillet, madje dhe i thotë më urren ti mua, nuk më pëlqen ti mua, apo ti apo ai… skena të tilla.
Por këto duhet të kuptohen nga ne.
Sigurisht që janë të papranueshme për ne, por realiteti është realitet dhe ne do bëjmë gjithçka të përmbushim misionin tonë.
Dhe unë kam besim të plotë se ne jemi në rrugë të drejtë.
Por kërkohet të mos injorohet për asnjë moment kjo mafie që është bërë përcjellëse e të keqes banale.
Që ka shndërruar të keqen banale në faktor madhor dhe më kryesor të mbajtjes së saj në pushtet.
Unë e di se ju çdo ditë u thonë se nuk është kjo mënyrë komunikimi.
Nuk është kjo përballje e drejtë.
Nuk ka gjë më të drejtë në botë se të përballesh me të keqen.
Në të gjitha kohërat, përballja më e drejtë me njeriut është përballja me të keqen.
Ndaj dhe ne nuk duhet të impresionohemi.
Ne jemi në kushtet kur mediet kontrollohen 80-90 përqind nga qeveria dhe kur kryeministri mashtron çdo ditë dhe thotë ato i dominon opozita.
Tani, nuk do të zgjatem më shumë në këtë hyrje timen sepse axhenda është e ngjeshur.
Të vazhdojmë me rendin me ditës dhe t’i falenderojmë mediat pasi diskutimet janë të një karakteri teknik dhe duhet të vazhdojmë pa media.
