Ish-komandanti i Flotës Detare, Vladimir Beja, i ftuar në emisionin “Oponencë” në News24, ka folur me tone mjaft shqetësuese në lidhje me zhvillimet e fundit dhe diskutimet rreth çështjes së kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Duke iu referuar deklaratave të zyrtarëve më të lartë të Athinës, Beja theksoi se pala greke po shfrytëzon hapësirat dhe mungesën e lëvizjeve juridike nga pala shqiptare për të zgjeruar territorin e saj në dëm të hapësirës sonë detare në detin Jon.

“Ministri grek i Mbrojtjes, Dendias, ka thënë hapur në Greqi se ka shtuar detin e vendit të tij. Ndërkohë, kryeministri Mitsotakis ka deklaruar në parlamentin grek se e kanë zgjeruar me 10% detin e Greqisë. Kjo do të thotë se Greqia pretendon të marrë det nga fqinjët, dhe konkretisht nga Shqipëria në pjesën e detit Jon. Me Italinë nuk merr dot asgjë, prandaj pretendon të marrë nga ne,” u shpreh ish-komandanti i Flotës.

Sipas tij konventat ndërkombëtare e përcaktojnë qartë se një shtet nuk mund të bëjë zgjerim të njëanshëm aty ku nuk ka hapësirë fizike për të zgjeruar pa prekur fqinjët. Në raste të tilla, shtetet kufitare duhet të veprojnë në rrugë juridike për të mbrojtur interesat e tyre kombëtare.

Beja hodhi dritë mbi një ngritje pikëpyetjeje të madhe sa i përket diplomacisë shqiptare dhe hapave ligjorë që duheshin ndërmarrë në arenën ndërkombëtare për të bllokuar pretendimet e Athinës zyrtare.

“Konventat ndërkombëtare thonë se nuk mund të zgjerosh aty ku nuk ka hapësirë për të zgjeruar. Shtetet kufitare, në raste të tilla, bëjnë një rezervë ligjore dhe e paraqesin atë në OKB. Dendias na kujton sot neve shqiptarëve se u bënë pesë vite që kur e shtuan detin në 12 milje. Kjo ndodh sepse, siç duket, pala shqiptare nuk ka bërë rezervën ligjore të nevojshme në OKB për të mbrojtur kufijtë tanë detarë,” deklaroi Vladimir Beja gjatë studios së “Oponencë”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb