Kreu i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR), Sergei Naryshkin, ka deklaruar se NATO po kryen përgatitje praktike për një “konflikt në shkallë të gjerë në Lindje”. Deklaratat u bënë gjatë një takimi me zyrtarë të lartë të sigurisë dhe u raportuan nga media shtetërore ruse, përfshirë agjencinë RIA Novosti.
Sipas Naryshkinit, edhe Bashkimi Evropian po rrit ndjeshëm kapacitetet e tij ushtarake dhe po shndërrohet gradualisht në një strukturë me karakter “aleance ushtarake të drejtuar kundër Rusisë”. Ai pretendoi gjithashtu se armë të dërguara në Ukraina nga vendet perëndimore po qarkullojnë lirshëm në Evropë dhe, sipas tij, mund të përfundojnë në duart e grupeve kriminale ose organizatave terroriste ndërkombëtare.
“Armët nga teatri i operacioneve ushtarake ukrainase qarkullojnë lirshëm në të gjithë Evropën dhe përfundojnë në duart e grupeve ndërkombëtare terroriste,” u citua të ketë thënë Naryshkin. Megjithatë, ai nuk paraqiti të dhëna apo shembuj konkretë për të mbështetur këto pretendime. Këto deklarata u transmetuan nga media shtetërore ruse.
Nga ana tjetër, Moska ka përsëritur vazhdimisht akuzat se armët perëndimore të dërguara në Ukrainë mund të devijohen drejt tregut të zi, një pretendim që si Kievi ashtu edhe qeveritë perëndimore e kanë mohuar. Në të njëjtën kohë, Rusia vazhdon të akuzojë NATO-n dhe vendet evropiane për rritje të pranisë ushtarake pranë kufijve të saj, ndërsa Perëndimi e justifikon mbështetjen për Ukrainën si pjesë e mbrojtjes së saj nga agresioni rus.
