Autoritetet e Kosovës të enjten në mëngjes morën nën kontroll objektet dhe pronat hekurudhore në Zveçan dhe në Leposaviq, komuna të banuara me shumicë serbe në veri.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Policia ka ofruar asistencë gjatë marrjes së objekteve të stacioneve hekurudhore, ku janë hequr tabelat “Hekurudhat e Serbisë”, dhe janë vendosur të reja me mbishkrimin “Infrastruktura Hekurudhore e Kosovës”, së bashku me flamurin e Kosovës.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u tha gazetarëve se ligjet duhet të zbatohen në të gjithë territorin e Kosovës dhe se “Hekurudhat e Serbisë” janë një nga institucionet e fundit “paralele dhe ilegale” që kanë funksionuar.

Ndërkaq, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, deklaroi se “nga sot janë kthyer nën menaxhim të plotë të Ndërmarrjes Publike INFRAKOS të gjitha objektet dhe pronat publike hekurudhore” në veriun e Kosovës.

Ai tha se infrastruktura hekurudhore në veri deri më tani ka qenë “e uzurpuar nga strukturat ilegale paralele serbe”.

Basha deklaroi, gjithashtu, se hekurudha në veri është një pjesë strategjike e Korridorit X, i cili lidh Kosovën me rrjetet rajonale dhe ndërkombëtare të transportit.

“Ky veprim lehtëson përshpejtimin e rehabilitimit, modernizimit dhe funksionalizimit të infrastrukturës hekurudhore në veri të vendit, në përputhje me prioritetet zhvillimore dhe standardet shtetërore të Kosovës”, tha ai.

Kosova gjatë dy vjetëve të fundit ka mbyllur pothuajse të gjitha institucionet e Serbisë, që pas luftës kanë funksionuar në zonat me shumicë serbe. Ndërsa autoritetet kosovare thonë se po vendosin rend dhe ligj, pjesëtarët e komunitetit serb këto veprime i shohin si “diskriminim” ose formë “represioni”.

Edhe bashkësia ndërkombëtare ka kritikuar mbylljen e institucioneve serbe nga autoritetet kosovare, duke theksuar se komuniteteve joshumicë fillimisht duhet t’u sigurohen shërbimet që i kanë marrë përmes sistemit serb.

Ministri Sveçla deklaroi se Kosova nuk do të tolerojë funksionimin e institucioneve serbe dhe se të gjitha do të mbyllen.

“Kjo [hekurudha] është pjesë e rrjetit tonë dhe, siç e ka theksuar ministri i Infrastrukturës, do të jetë pjesë e projekteve për rindërtimin e rrjetit hekurudhor”, tha ai.

Megjithatë, linjat hekurudhore drejt veriut të Kosovës nuk ishin në operim që nga viti 2008.

“Që nga viti 2008 ne nuk kemi pasur operim në pjesën veriore”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Infrakos-it, Rafet Çitaku, duke theksuar se ndërprerja e linjave për në pjesën veriore ishte bërë për “shkaqe të sigurisë dhe politike”.

Ndërkaq, në raportin vjetor të ndërmarrjes kosovare Infrakos për vitin 2024 thuhet se nuk kanë pasur qasje në hekurudhat në veri dhe se pritej që kjo çështje të ngrihej në kuadër të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por kjo nuk ndodhi.

“Dihet se që nga 3 marsi i vitit 2008, strukturat paralele serbe në veri të Kosovës, me ndihmën e Hekurudhave të Serbisë, kanë okupuar pjesën veriore të Linjës Hekurudhore 10, duke e penguar Infrakos-in të ketë qasje në atë pjesë të hekurudhës”, thuhet në raport.

Aty theksohet se për këtë arsye pritet angazhim më i madh i institucioneve përgjegjëse të Kosovës, në mënyrë që Infrakos të ketë qasje në hekurudhat në veri.

Serbia refuzon t’i mbyllë institucionet e saj në Kosovë, por shumicën prej tyre i ka zhvendosur në qytetet e saj kufitare.

Po ashtu, Kosova ngulmon në integrimin e institucioneve arsimore dhe shëndetësore që në zonat ku jeton komuniteti serb funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, gjë që po has në kundërshtimin e popullatës lokale, përfaqësuesve politikë dhe shoqërisë civile.

Bashkimi Evropian ka vlerësuar se çështja e integrimit të këtyre dy sektorëve duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./ REL

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb