Fermerët e fshatit Orman në bashkinë e Maliqit po përballen këtë sezon me një situatë të rëndë në kulturën e patates, pasi pjesa më e madhe e prodhimit ka dështuar dhe shkak është bërë cilësia e farës së përdorur për mbjellje.
Sipas fermerëve, dëmet janë të mëdha dhe prekin deri në 80% të sipërfaqeve të mbjella. Ata thonë se në shumë parcela patatja nuk ka mbirë fare ndërsa aty ku ka dalë prodhimi cilësia është shumë e dobët.
Krenar Kreka tregon se prej më shumë se dy dekadash kultivon të njëjtën varietet patateje por këtë vit po përballet me humbje më të mëdha.
Edhe fermerët Daniel Plasa dhe Jorida Kreka shprehin shqetësim për situatën dhe kërkojnë që institucionet përgjegjëse të ndërhyjnë për të verifikuar shkakun e dëmit.
Fermerët kërkojnë analiza laboratorike dhe hetim të plotë nga institucionet shtetërore, pasi dyshojnë se problemi mund të ketë ardhur nga fara e importuar ose nga mënyra e ruajtjes së saj ndër vite.
Ata gjithashtu akuzojnë institucionet bujqësore për mungesë kontrolli dhe neglizhencë, duke theksuar se deri tani verifikimet janë përqendruar vetëm te toka dhe jo te fara e patates burimit kryesor të problemit.
