Sezoni i Partizanit ishte një nga më të luhaturit e viteve të fundit për skuadrën kryeqytetase. Të kuqtë e nisën kampionatin me pritshmëri të larta, por në fund e mbyllën në vendin e pestë, larg objektivave që kishin vendosur në fillim të edicionit.
STARTI- Kampionati nisi me Mladen Milenkoviç në pankinë, trajner që mori drejtimin e ekipit në verë me synimin për të vazhduar projektin e klubit. Megjithatë, gjërat nuk shkuan sipas pritshmërive dhe Partizani hasi shumë probleme që në javët e para të sezonit. Skuadra vuante në lojë, ndërsa rezultatet pozitive mungonin. Të kuqtë shpesh kishin vështirësi në ndërtimin e aksioneve dhe nuk arrinin të gjenin vazhdimësi nga një ndeshje në tjetrën. Edhe në aspektin mbrojtës ekipi shfaqte pasiguri, çka ndikoi në humbjen e shumë pikëve të rëndësishme. Pas gjashtë javësh kampionat, drejtuesit vendosën të shkarkonin trajnerin serb për shkak të rezultateve negative. Ishte një lëvizje që tregoi pakënaqësinë e klubit me nisjen e sezonit dhe nevojën për të ndryshuar diçka në skuadër.
EPOKA “KËRNAJA”- Pas largimit të Milenkoviç, në pankinë u ul Oltijon Kërnaja. Me ardhjen e tij, Partizani nisi gradualisht të ndryshonte fytyrë dhe të fitonte më shumë stabilitet në lojë. Kërnaja arriti të rikthente besimin te skuadra dhe të krijonte një atmosferë më pozitive brenda grupit. Ekipi nisi të merrte rezultate më të mira dhe të afrohej me zonën e ekipeve pretendente. Mes fazës së parë dhe të dytë, Partizani tregoi rritje në performancë dhe pikë. Të kuqtë fituan disa ndeshje të rëndësishme dhe krijuan përshtypjen se mund të riktheheshin në garë për objektivat madhorë të sezonit. Skuadra ishte më e organizuar në fushë dhe më e qartë në mënyrën e lojës. Reparti ofensiv nisi të funksiononte më mirë, ndërsa edhe mbrojtja dha më shumë siguri në krahasim me javët e para të kampionatit.
REZULTATET POZITIVE – Faza e tretë rezultoi më pozitivja për Partizanin gjatë gjithë sezonit. Të kuqtë regjistruan disa fitore radhazi dhe arritën të merrnin vendin e katërt në renditje duke parakaluar Dinamon. Një pozicion për të cilin në fillimin e sezonit kishte humbur besimi se mund të arrihej. Në atë moment u krijua bindja se skuadra mund ta mbyllte sezonin në zonën e “Final Four”. Partizani dukej në rritje dhe kishte fituar besim si në aspektin psikologjik, ashtu edhe në lojë. Disa prej futbollistëve kryesorë nisën të japin më shumë në fushë, ndërsa skuadra po funksiononte më mirë si grup. Edhe tifozët nisën të besonin se ekipi mund të rikuperonte sezonin pas vështirësive të fillimit duke pasur një atmosferë të shkëlqyer.
FAZA E KATËRT SOLLI RËNIEN, U SHEMB GJITHÇKA ISHTE NDËRTUAR – Megjithatë, pikërisht në momentin kur pritej vazhdimësia, erdhi rënia në fazën e katërt. Partizani nisi të humbiste terren dhe të mos merrte rezultatet e pritshme. Skuadra pati shumë oshilacione dhe humbi pikë të rëndësishme në ndeshje ku konsiderohej favorite. Në disa takime, të kuqtë nuk arritën të menaxhonin mirë momentet vendimtare të lojës. Faza e katërt ishte më problematikja për Partizanin dhe ndikoi drejtpërdrejt në objektivat finalë të sezonit. Ekipi nuk arriti të ruante ritmin pozitiv të mëparshëm dhe gradualisht humbi vendin në zonën e katër skuadrave të para duke shembur të gjithë kalanë që ishte ndërtuar gjatë sezonit.
NDRYSHIMI I TRAJNERIT – Një nga momentet më të vështira ishte humbja në derbi ndaj Tiranës, disfatë që solli edhe largimin e Oltijon Kërnajës nga pankina. Drejtuesit vendosën të ndërhyjnë tre javë para fundit të kampionatit në tentativë për të shpëtuar sezonin. Megjithatë, ndryshimi në stol nuk solli kthesën e madhe që pritej. Partizani arriti të fitonte vetëm një ndeshje në fazën e katërt, atë ndaj Dinamos në javët e fundit të kampionatit. Edhe pse skuadra e mbylli sezonin me fitore, kjo nuk mjaftoi për të siguruar vendin e katërt. Në fund, të kuqtë e përfunduan kampionatin në vendin e pestë, pas Dinamos. Gjatë gjithë sezonit, Partizani u penalizua edhe nga problemet fizike. Disa prej lojtarëve kryesorë munguan në ndeshje të rëndësishme për shkak dëmtimesh.
DËMTIMET – Futbollistë si Preka, Marku, Keko, Skuka, Dumbia apo Atanaskoski nuk arritën të kishin vazhdimësi gjatë gjithë kampionatit. Kjo ndikoi jo pak në stabilitetin e skuadrës dhe në mundësitë për të krijuar një formacion bazë. Në disa momente, stafi teknik u detyrua të ndryshonte shpesh formacionin për shkak të mungesave. Kjo solli vështirësi në ruajtjen e ekuilibrave të skuadrës. Pavarësisht problemeve, sezoni solli edhe disa elementë pozitivë për Partizanin. Disa lojtarë të rinj fituan më shumë hapësira dhe treguan potencial për të ardhmen. Gjithsesi, në përgjithësi sezoni i të kuqve u karakterizua nga shumë ulje-ngritje dhe mungesë stabiliteti. Pikërisht këto oshilacione bënë që skuadra të mos arrinte objektivat që kishte vendosur në fillim të kampionatit. Tashmë, te Partizani shpresojnë që sezoni i ri të jetë krejtësisht ndryshe. Klubi synon të ndërtojë një skuadër më të qëndrueshme dhe me më shumë vazhdimësi, në mënyrë që të rikthehet sërish në nivelet më të larta të futbollit shqiptar.
