Për vite me radhë, një nga armët politike të Sali Berishës ka qenë “Qytetari Dixhital”. Çdo denoncim, çdo skandal, çdo rast që shërbente për të goditur qeverinë, gjente rrugën në rrjetet sociale të kryetarit të opozitës.
Deri këtu shumë mirë, por pse kur një person tërhiqet zvarrë në një protestë, “Qytetari Dixhital” nuk shkroi? Mos vallë informacioni nuk mbërriti? Apo nuk u konsiderua aq i rëndësishëm sa për t’u bërë kauzë politike?
Madje, pas incidentit, edhe vetë Policia e Shtetit e cilësoi ngjarjen si shkelje dhe ndërmori masa. Megjithatë, opozita zgjodhi heshtjen. Dhe pikërisht kjo heshtje ngre më shumë pikëpyetje sesa vetë ngjarja.

Heshtja në raste të tilla është domethënëse dhe problemi lidhet me krizën e besimit që po prek opozitën.
Protestat e organizuara prej saj që dikur mbushnin sheshet, sot janë të rralla dhe gjithnjë e më të vogla. Pakënaqësia ndaj qeverisë ekziston, madje shpesh duket e madhe në rrjetet sociale, por ajo nuk po shndërrohet në lëvizje qytetare.
Arsyeja mund të jetë e thjeshtë. Qytetarët nuk mjaftohen më me fjalime. Ata kanë dëgjuar për vite të tëra të njëjtat akuza, të njëjtat denoncime dhe të njëjtat shpjegime pas çdo humbjeje zgjedhore: “U vodhën zgjedhjet”, “U blenë votat”, “U deformua procesi” etj. Kur një mesazh përsëritet vazhdimisht pa prodhuar ndryshim, ai humbet fuqinë për të bindur.

Nuk është çështja se mungon zemërimi. Në fakt mungon besimi se ai zemërim mund të çojë diku. Qytetarët kanë humbur besimin te aftësia e opozitës për të sjellë ndryshim, ndaj nuk bëhen pjesë e protestës, por mbeten spektatorë të saj.

Ndërkohë sfida më e madhe e opozitës nuk është të provojë se qeveria ka gabime, sepse shumë njerëz janë tashmë të bindur për këtë. Sfida është t’i bindë ata se vetë ajo përfaqëson një alternativë që ngjall besim.
Por besimi duket se ka humbur dhe besimi nuk humbet vetëm nga humbjet në zgjedhje apo nga mungesa e alternativave. Ai zbehet edhe kur qytetarët krijojnë përshtypjen se reagimet politike janë selektive, se disa ngjarje shndërrohen menjëherë në kauza, ndërsa të tjera kalojnë në heshtje. Kur kuptojnë se kauzat zhvillohen për shkak të interesit të momentit, qytetarët bëhen më skeptikë dhe më pak të gatshëm për të ndjekur ata që kërkojnë mbështetjen e tyre.

Këtu rikthehemi te “Qytetari Dixhital”. Nëse ai shfaqet vetëm kur i shërben opozitës dhe zhduket kur nuk i përshtatet asaj, atëherë pushon së qeni zëri i qytetarëve dhe kthehet thjesht në një instrument propagande.

Prandaj çështja nuk është vetëm çfarë ndodhi me qytetarët në protestë. Pyetja shtrohet se përse nuk foli “Qytetari Dixhital”? Përgjigjja për këtë pyetje mund të shpjegojë edhe arsyen pse një pjesë e qytetarëve po e kanë gjithnjë e më të vështirë t’i besojnë opozitës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb