Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka bërë thirrje për një ndryshim të thellë në mënyrën e qeverisjes së vendit, duke theksuar se procesi i vendimmarrjes nuk duhet të mbetet në duart e një grupi të kufizuar zyrtarësh.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Fars, kreu i shtetit deklaroi se grupet shoqërore, komuniteti shkencor, aktorët ekonomikë dhe qytetarët duhet të kenë një rol më aktiv në hartimin e politikave dhe zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet vendi.
“Sa më e madhe të jetë pjesëmarrja e shoqërisë në vendimmarrje dhe në adresimin e sfidave, aq më të mëdha janë mundësitë për t’i kapërcyer ato”, u shpreh Pezeshkian, duke nënvizuar se shteti duhet të mbështesë qytetarët në periudha të vështira.
Deklaratat e tij vijnë në një moment delikat për Iranin dhe konsiderohen të rëndësishme, pasi sfidojnë në një farë mase modelin tradicional të pushtetit, ku për dekada pozicionet kryesore shtetërore janë dominuar nga figura të lidhura ngushtë me strukturat e sigurisë dhe establishmentin politik.
Ndërkohë, zyra presidenciale hodhi poshtë raportimet dhe spekulimet për një dorëheqje të mundshme të presidentit. Autoritetet sqaruan se Pezeshkian nuk i ka paraqitur asnjë kërkesë për largim udhëheqjes së vendit dhe do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e tij.
Presidenti iranian foli edhe për sfidat ekonomike dhe energjetike, duke bërë thirrje për kursimin e energjisë elektrike dhe karburanteve. Ai paralajmëroi se rritja e konsumit mund të ndikojë negativisht në sektorin industrial dhe në ekonominë e vendit.
Sipas tij, qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm për “realitetin, kërkesat dhe kostot e rezistencës”, teksa Irani vijon të përballet me pasojat e konflikteve rajonale dhe presionin ndërkombëtar.
