Spektakli i Roland Garros vazhdon të dhurojë emocione të forta, ndërsa janë përcaktuar emrat e parë të çerekfinalistëve në turnetë e meshkujve dhe femrave.
Në konkurrimin e meshkujve, Alexander Zverev konfirmoi statusin e një prej favoritëve kryesorë për titullin. Tenisti gjerman kaloi pa vështirësi holandezin Jesper de Jong, duke fituar në tre sete me rezultatin 7-6, 6-4 dhe 6-1 pas pak më shumë se dy orësh lojë. Në çerekfinale, Zverev do të përballet me spanjollin Rafael Jodar, i cili realizoi një përmbysje të jashtëzakonshme ndaj bashkatdhetarit Pablo Carreno Busta. Pasi humbi dy setet e para, Jodar reagoi fuqishëm dhe siguroi kualifikimin pas pesë seteve të luftuara.
Një tjetër sfidë maratonë ishte ajo mes çekut Jakub Mensik dhe rusit Andrey Rublev. Talenti i ri çek triumfoi pas pesë seteve dhe pothuajse katër orësh lojë, duke siguruar një vend në çerekfinale. Atje do ta presë braziliani Joao Fonseca, një nga surprizat më të mëdha të këtij edicioni. Pas eliminimit të Novak Djokovicit në raundin e mëparshëm, Fonseca vazhdoi rrugëtimin e tij fantastik duke mposhtur edhe Casper Ruud dhe duke konfirmuar formën e shkëlqyer në Paris.
Ndërkohë, turneu i femrave regjistroi një nga rezultatet më befasuese të këtij viti. Katër herë kampionia e Roland Garros, Iga Swiatek, u eliminua në fazën e 1/8-ave nga ukrainasja Marta Kostyuk. Polakja dukej në kontroll të setit të parë, por nuk arriti ta mbyllte kur shërbeu për fitimin e tij në rezultatin 5-4. Nga ai moment, ndeshja ndryshoi plotësisht drejtim. Kostyuk fitoi setin e parë 7-5 dhe më pas dominoi totalisht të dytin, duke triumfuar 6-1 dhe duke siguruar një kualifikim historik.
Në çerekfinale, ukrainasja do të gjejë përballë bashkatdhetaren Elina Svitolina, e cila përmbysi Belinda Bencic pas humbjes së setit të parë. Në anën tjetër të tabelës, Sorana Cirstea dhe Mirra Andreeva prenë gjithashtu biletën për në çerekfinale dhe do të sfidojnë njëra-tjetrën për një vend mes katër më të mirave të turneut.
