Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i është përgjigjur ish-kryeministrit grek Alexis Tsipras lidhur me reagimet për incidentin e ndodhur në Zvërnec, duke e akuzuar se po e kthen një ngjarje të izoluar në një çështje me peshë politike dhe etnike.
Në një reagim drejtuar Tsipras, Rama shprehet i habitur nga mënyra se si partia e re e politikanit grek, sipas tij, ka kontribuar në paraqitjen e incidentit si një shkelje më e gjerë e të drejtave të minoriteteve, duke injoruar faktet e verifikuara dhe duke u mbështetur në “gjysmë të vërteta”.
Sipas Ramës, ngjarja në Zvërnec nuk ndodhi gjatë një proteste të zakonshme për të drejtat e pronësisë, por në një klimë tensionesh të nxitura nga dezinformimi dhe përpjekjet për të penguar aktivitetin e investitorëve privatë ndërkombëtarë që operojnë në toka private të blera në përputhje me legjislacionin shqiptar.
My dear @atsipras
I hope you are in great shape.
Sorry to bother, but I wanted to share my amazement at how quickly even your new party has contributed to transforming a completely isolated incident into a matter of broader political significance, dismissing established facts…
— Edi Rama (@ediramaal) June 1, 2026
Rama thekson se çdo dëmtim i një qytetari, pavarësisht kombësisë, është i papranueshëm, por kujton se autoritetet shqiptare reaguan menjëherë pas incidentit. Ai rendit arrestimin e efektivëve të sigurisë private të përfshirë, heqjen e licencës së kompanisë së sigurisë dhe shkarkimin e drejtorit të Policisë së Vlorës.
“Çfarë tjetër do të prisnit, Alexis, dhe çfarë masash shtesë do të kishit marrë ju si kryeministër në këto rrethana?”, shkruan Rama, duke shtuar se nuk është e drejtë të paraqitet një incident i izoluar si provë e shkeljes së të drejtave të minoriteteve, pronës apo shtetit ligjor.
Kryeministri nënvizon se respektimi i shtetit të së drejtës, mbrojtja e pronës private dhe garantimi i të drejtave të pakicave kombëtare janë detyrime kushtetuese dhe angazhime europiane të Shqipërisë, jo çështje që varen nga interesat politike të momentit.
Në mesazhin e tij, Rama ndalet edhe te minoriteti grek në Shqipëri, të cilin e cilëson si një vlerë të çmuar për vendin. Ai thekson se komuniteti grek gëzon të njëjtat të drejta dhe mbrojtje si çdo qytetar shqiptar dhe se bashkëpunimi me qeverinë greke ka qenë i vazhdueshëm për forcimin e këtyre garancive.
Në përfundim, Rama i bën thirrje Tsipras që marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë të mbështeten te faktet, institucionet dhe respekti i ndërsjellë, e jo te spekulimet politike. Ai shpreh gjithashtu shpresën që lëvizjet e reja politike në Europë të shmangin retorikat nacionaliste dhe të fokusohen te vlerat europiane, shteti i së drejtës dhe bashkëpunimi mes vendeve fqinje.
