Arben Kola, një nga organizatorët e protestës në lidhje me situatën në Zvërnec, deklaroi se ngjarja e ndodhur gjatë protestës së djeshme ka nxitur reagim të gjerë qytetar dhe ka rritur mbështetjen për kauzën e tyre.

I ftuar në studion e News24, Kola tha se organizatorët kishin parashikuar pjesëmarrjen e rreth 300 personave, por sipas tij, mënyra se si u trajtua një protestues ka ndikuar në sensibilizimin e opinionit publik.

“Prisnim rreth 300 pjesëmarrës, sepse shqiptarët nuk janë shumë të ndjeshëm ndaj protestave, por tërheqja zvarrë e atij qytetari në Zvërnec ka prekur nervin qytetar”, u shpreh ai.

Kola theksoi se qëllimi kryesor i protestës është kundërshtimi i ndryshimeve ligjore që, sipas organizatorëve, cenojnë mbrojtjen e zonave natyrore dhe hapin rrugën për ndërtime në territore të mbrojtura.

“Ne kërkojmë anulimin e ligjit për zonat e mbrojtura. Nuk mund të vendoset gardh në det”, deklaroi ai.

Sipas Kolës, kundërshtimi ndaj projektit nuk lidhet me çështje etnike apo me marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, por me mbrojtjen e territorit dhe interesit publik.

“Zvërneci është tokë shqiptare. Ne nuk jemi kundër minoriteteve, shqiptarët janë qytetarë të lirë. Nuk është çështje e Greqisë, por e shqiptarëve dhe e shqiptarisë”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb