Një ekspert i IT-së, i cili ka qenë pjesëmarrës aktiv në protestën masive që po zhvillohet në Tiranë, i ftuar në emisionin “Oponencë” në News24, ka bërë një analizë të frymës që po dominon në shesh. Sipas tij, kjo lëvizje qytetare ka marrë një reagim të jashtëzakonshëm dhe po thonë të vërteta që thyejnë monopolin e vjetër politik.

Ai theksoi se thirrjet e ashpra të popullit drejtuar liderëve të dy krahëve politikë tregojnë se qytetarët janë lodhur nga sistemi aktual, ndërsa lëshoi një mesazh të prerë për partitë që të mos tentojnë të zbehin apo të prishin zërin e të rinjve.

Ai u shpreh se kjo revoltë po synon të godasë korrupsionin në rrënjë, pa bërë dallime partiake dhe duke rrëzuar “ironinë” e pushtetarëve që mendojnë se askush tjetër nuk ka të drejtë të flasë.

“Protesta ka marrë reagim edhe më të madh. Fjalët ‘Berisha në burg, Rama në burg’ kanë dalë nga populli. Kjo protestë do të heqë korrupsionin nga të gjitha anët. Të heqë këtë ironinë që ka një pushtet dhe një opozitë dhe askush tjetër nuk duhet të thotë të vërteta,” deklaroi eksperti i IT-së.

Më tej, ai vuri theksin te ruajtja e mbarëvajtjes së tubimit qytetar. Ai paralajmëroi se çdo tentativë e partive politike për të kontrolluar apo censuruar të rinjtë që flasin në bulevard do të çonte në dështimin e kauzës.

“Nuk mund të prishet mbarëvajtja e protestës. Nëse partitë prishin dëshirën e të rinjve për të folur, ata nuk vijnë më dhe protesta shuhet, si çdo protestë që është shuar deri më sot,” përfundoi ai, duke bërë thirrje për të mbajtur kauzën të pastër dhe të udhëhequr nga qytetarët.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb