Hungaria dhe Ukraina kanë arritur një marrëveshje mbi të drejtat e pakicës hungareze në Ukrainë, një zhvillim që mund të zhbllokojë procesin e integrimit evropian të Kievit.
Lajmi u bë i ditur nga kryeministri hungarez, Peter Magyar, i cili deklaroi se palët kanë rënë dakord për një paketë masash që zgjeron të drejtat gjuhësore, arsimore, kulturore dhe politike të komunitetit hungarez në Ukrainë.
“Në kemi arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Ukrainën për të zgjeruar të drejtat e pakicës hungareze”, tha Magyar në një video-mesazh të publikuar në Facebook.
Sipas tij, marrëveshja krijon kushtet që Budapesti të mbështesë hapjen e grupit të parë të kapitujve negociues për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, kryeministri hungarez theksoi se qeveria e tij nuk mbështet një procedurë të përshpejtuar për anëtarësimin e Ukrainës në bllokun evropian, duke insistuar që procesi të zhvillohet sipas kritereve dhe standardeve të zakonshme të BE-së.
Marrëdhëniet mes Budapestit dhe Kievit kanë qenë të tensionuara prej vitesh për shkak të shqetësimeve të Hungarisë lidhur me të drejtat e pakicës hungareze që jeton kryesisht në rajonin e Transkarpatisë. Çështja është konsideruar një nga pengesat kryesore në rrugën e Ukrainës drejt integrimit evropian.
Marrëveshja e fundit shihet si një hap i rëndësishëm diplomatik, që mund të ndihmojë në avancimin e procesit të negociatave të anëtarësimit të Ukrainës me Bashkimi Evropian.
