Një aksident i frikshëm rrugor u regjistrua mëngjesin e së enjtes në Nafpaktos, pranë Sheshit të Portit, ku një automjet doli nga kontrolli dhe shkaktoi dëme të shumta materiale. Sipas mediave greke, drejtuesi i mjetit humbi kontrollin në një kthesë për arsye që ende nuk janë sqaruar. Automjeti devijoi nga rruga, u ngjit në trotuar dhe përshkoi me shpejtësi një zonë të frekuentuar, duke goditur tavolina, karrige lokalesh dhe disa biçikleta të parkuara.
Pamjet e publikuara nga mediat lokale tregojnë momentin dramatik kur makina përparon në mënyrë të pakontrolluar. Në sekondat e fundit, një grua që sapo kishte parkuar automjetin e saj arrin të largohet me shpejtësi duke marrë në krahë një fëmijë, duke shmangur një tragjedi të mundshme. Mjeti më pas u përplas me makinën e saj dhe me një tjetër automjet të parkuar.
Raportohet se automjeti drejtohej nga një i moshuar, i cili po lëvizte nga zona e Lagadoulës drejt portit të Nafpaktosit. Gjatë lëvizjes së pakontrolluar, makina kaloi edhe në korsinë e kundërt të qarkullimit përpara se të përfundonte në trotuar.
Si pasojë e aksidentit, një person ka pësuar lëndime të lehta dhe mori ndihmën e parë nga ekipet mjekësore që mbërritën menjëherë në vendngjarje. Ndërkohë, Policia Rrugore ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të incidentit. Sipas raportimeve lokale, automjeti përshkoi një segment ku çdo ditë mblidhen shumë qytetarë. Pavarësisht rrezikut të madh dhe dëmeve të konsiderueshme materiale, bilanci mund të kishte qenë shumë më i rëndë, ndërsa fakti që nuk pati viktima konsiderohet një fat i madh.
