Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa pas vizitës në Kosovë, vijoi turin e tij në Beograd. Ai foli për procesin e zgjerimit duke thënë se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit në dialogun Kosovë-Serbi është thelbësore.
Deklaratat ai i bëri në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit që pati me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.
“Zgjerimi bazohet në ndërtimin e besimit. Rruga përpara është e vështirë, por shtegu është i qartë. Ne duhet të përqendrohemi në 3 prioritete kryesore: nxitja e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal. Ato janë thelbësore si për sigurinë ashtu edhe për prosperitetin ekonomik. Dialogu Beograd-Prishtinë dhe zbatimi i plotë i marrëveshjes së Ohrit janë kritike në këtë drejtim; ‘përputhja me politikat dhe vlerat e Bashkimit Evropian, në veçanti me Politikën tonë të Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë. Këto nuk janë vetëm parime që ne mbështesim. Ato janë vetë themeli i projektit evropian dhe partneritetit tonë me Serbinë”, deklaroi Costa.
