Gazetari i News24, Osman Stafa, ka mbajtur një fjalim përpara mijëra qytetarëve të mbledhur në bulevard, duke sfiduar skepticizmin për të ardhmen e vendit. Ai theksoi se prania masive e njerëzve në protestë është prova më e mirë se Shqipëria ka shpresë për ndryshim. Stafa hodhi akuza të forta ndaj qeverisë për mënyrën se si u përgjigjet shqetësimeve reale të qytetarëve me propagandë dhe justifikime të jashtme, ndërkohë që çmimet dhe korrupsioni po rëndojnë jetën e përditshme.

“Na kanë thënë se ky vend nuk bëhet, por ky imazh këtu tregon të kundërtën. Ky vend bëhet! A ka korrupsion në Shqipëri? A ka shëndetësi? Nafta, çmimet janë në qiell. Si do jetojmë? Ne themi nuk ka shëndetësi, ata thonë Irani. Ne themi s’ka arsim, ata thonë Soros, ne themi s’ka rroga, ata thonë greku… Jo mor jo, kanë frikë, janë në panik se kur populli del në shesh nuk ka më mandate!”

Gjatë fjalës së tij, gazetari u ndal te kontrasti i dhimbshëm mes mungesës së kushteve bazë në spitale dhe shpenzimeve marramendëse të qeverisë për shpenzime luksi. Ai vuri theksin te pacientët me kancer, të cilët mbeten pa mjekim, ndërkohë që taksat e shqiptarëve shpenzohen për satelitë apo kopshte në godinat qeveritare.

“Në spitale nuk ka ilaçe, nuk ka pajisje. Nuk kurohet kanceri pa pajisje e ilaçe! Ndërkohë ky shtet harxhon lekët me kopshtin Eden në kryeministri me 4.3 mln euro nga taksat tona dhe pacientët me kancer nuk kanë ilaçe. Kemi çuar dy satelitë dhe pacientët nuk kanë ilaçe. Ky është realiteti ynë dhe ka një përgjegjës! A e dini ju se një jetim në Shqipëri merr 15 mijë lekë në muaj, ndërkohë luksi, 10 mijë euro për të larë makinat në një muaj këtu!”

Në mbyllje të fjalës së tij, gazetari vuri në dukje ngërçin demokratik të Shqipërisë, duke e krahasuar mungesën e rrotacionit politik me dinamikën e shteteve demokratike si SHBA. Ai theksoi se gjatë jetës së tij, ndërsa bota ka ecur përpara, në Shqipëri pushteti ka mbetur peng i një rrethi shumë të ngushtë individësh.

“Thonë pse tani? Kanë pasur kohë 36 vite? Prej kur kam lindur unë janë ndërruar 7 presidentë të SHBA, ndërsa këtu vetëm dy individë.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb