Revolta qytetare në rrugët e Tiranës po merr një dimension të ri gjatë marshimit që po vijon në akset kryesore të kryeqytetit. Pasi lanë pas institucionet shtetërore me thirrje për arrestime dhe dorëheqje, turma e madhe e protestuesve ka marrë mbështetjen e drejtuesve të mjeteve.
Shumë makina që janë bllokuar në trafik apo që kalojnë pranë marshimit janë solidarizuar me kauzën duke rënë borive në shenjë mbështetjeje. Kjo zhurmë borish është shoqëruar me brohoritje nga protestuesit, të cilët kanë nisur t’u bëjnë thirrje qytetarëve të tjerë që po ndjekin protestën nga lokalet e shumta përgjatë rrugëve.
Në kor, protestuesit po kërkojnë reagimin e pjesës tjetër të shoqërisë, duke u bërë thirrje të lënë kafenetë dhe t’u bashkohen në rrugë:
“Bashkohuni me ne! Çohuni nga kafja!”
