Prej shtatë ditësh me radhë, Tirana është kthyer në qendrën e protestave kundër qeverisë. Çdo mbrëmje, qindra e mijëra qytetarë mbledhen në Bulevard dhe në rrugët kryesore të kryeqytetit, për të shprehur pakënaqësitë e tyre dhe duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Përgjatë këtyre tubimeve është vënë re një pjesëmarrje masive e qytetarëve të moshave të ndryshme, familjeve, të rinjve dhe pensionistëve, të cilët kanë protestuar në mënyrë paqësore, duke mbajtur pankarta, flamuj dhe duke artikuluar kërkesat e tyre, me kryefjalë largimin e Ramës dhe ndryshimin e pushtetit.

Por ajo që ka tërhequr vëmendjen jo pak është sjellja shembullore e protestuesve pas përfundimit të tubimit. Ata kanë qëndruar në bulevard për të pastruar nga mbeturinat zonën ku ishin mbledhur. Ata kanë mbledhur shishe plastike, letra dhe mbetje të tjera, duke i vendosur më pas në koshat përkatës.

Ky gjest është vlerësuar nga shumë qytetarë si një shembull i kulturës qytetare dhe përgjegjësisë ndaj hapësirave publike dhe atyre të përbashkëta. Ata dhanë shembull pozitiv në raport me qytetin dhe komunitetin, edhe pse në atë shesh mblidhen çdo natë mijëra të rinj, të reja dhe qytetarë të revoltuar me keqqeverisjen.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb