Protesta e tetë radhazi ka mbledhur mijëra qytetarë para Kryeministrisë, ndërsa pjesëmarrësit kanë vijuar të kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama, duke thirrur në kor për dorëheqjen e kreut të qeverisë.
Ndryshe nga skenarët e tensionuar që kanë shoqëruar protesta politike ndër vite, tubimet e qytetarëve janë karakterizuar nga qetësia, kultura dhe qytetaria e pjesëmarrësve. Protestuesit kanë shprehur qëndrimet e tyre përmes pankartave, thirrjeve dhe fjalimeve, pa shkaktuar asnjë akt dhune apo përplasje.
Një detaj që bie në sy është fakti se para godinës së Kryeministrisë nuk ka pasur kordon policor, ndërsa hyrjet e institucionit nuk janë blinduar.
Protestat masive të ditëve të fundit janë reagim popullor kundër qeverisjes aktuale.
Qytetarët paralajmërojnë se qytetarët do të vijojnë të kërkojnë ndryshimin përmes mjeteve demokratike dhe paqësore, duke promovuar rezistencën dhe tubimet e vazhdueshme deri në arritjen e qëllimeve, që janë dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, largimi i qeverisë dhe krijimi i një qeverie teknike për të zhvilluar zgjedhjet e reja.
