Mungesa e investimeve në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike në Njësinë Melan në Dibër është shndërruar në problem për fshatrat Bellovë, Zagrad, Cerjan dhe Rabdisht, pasi banorët shpesh përballen me ndërprerje të energjisë. Shtyllat e tensionit të mesëm janë tepër të dëmtuara dhe siç shihet përmes pamjeve, pjesa e betonit iu është shembur. Sipas banorëve, rrjeti elektrik në këtë zonë është ndërtuar që me elektrifikimin e vendit të bërë në vitet 70.
Banorët i bëjnë thirrje Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës të ndërhyjë për rehabilitimin e rrjetit elektrik, pasi shumë bujtina që presin turistë po penalizohen në mbarëvajtjen e aktivitetit të tyre gjatë këtij sezoni turistik.
