Një ngjarje tragjike ka tronditur Tajlandën, ku një djalë 7-vjeçar humbi jetën pasi u sulmua nga një majmun që familja e tij e mbante prej vitesh. Vogëlushi, Ekarat Srichan, po luante jashtë shtëpisë së tij të shtunën e kaluar, kur kafsha iu hodh papritur sipër dhe e kafshoi në disa pjesë të trupit. Sipas dëshmitarëve, fëmija bërtiti nga dhimbja ndërsa majmuni vazhdoi sulmin, duke e rrëzuar në tokë pavarësisht përpjekjeve të tij për t’u larguar.
Familjarët dhe fqinjët që dëgjuan britmat nxituan drejt vendngjarjes dhe e gjetën 7-vjeçarin të plagosur rëndë, ndërsa majmuni kishte ende gjak në gojë. Kafsha ishte e lidhur pranë një strukture bambuje, por litari i gjatë i kishte mundësuar të lëvizte në një hapësirë të konsiderueshme. Fëmija u transportua me urgjencë në spital, por mjekët nuk arritën t’i shpëtonin jetën. Nëna e tij deklaroi se kafshimet e majmunit i kishin shpuar mushkëritë. “Mjeku më tha se djali im nuk mund të mbijetonte, sepse kafshimi i majmunit i kishte shpuar mushkëritë dhe kishte prekur një zonë jetike. Nëse nuk do të ishte goditur në atë vend, ai mund të kishte shpëtuar”, tha ajo.
Sipas saj, fillimisht familja mendonte se djali ishte kafshuar vetëm në këmbë, por në spital u konstatua se ai kishte marrë edhe një plagë të rëndë në anën e djathtë të gjoksit.
Banorët e zonës thanë se majmuni kishte shfaqur sjellje agresive edhe më parë. Ata pretendojnë se kafsha kishte sulmuar më herët një mace endacake që ishte afruar pranë vendit ku mbahej. Gjyshi i fëmijës tregoi se e kishte shpëtuar majmunin në vitin 2022, pasi e kishte gjetur të braktisur buzë rrugës pa nënën e tij. Megjithatë, ai nuk dispononte dokumentacionin e nevojshëm për ta mbajtur ligjërisht si kafshë shtëpiake. Autoritetet lokale kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes tragjike.
