Sipas banorëve të zonës, pasditen e djeshme rreth orës 17:00, në fshatin Radomirë, Njësia Administrative Kala e Dodës, Bashkia Dibër, ka nisur një ciklon i fortë shiu i shoqëruar me breshër, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Banorët bëjnë me dije se në vendin e quajtur “Lugu i Radëve”, prurjet e shumta të ujit në përrenjtë e Radomirës kanë marrë përpara 10 krerë lopë. Për shkak të rrjedhës së fuqishme të ujit, bagëtitë janë gjetur të ngordhura rreth një kilometër larg vendit ku janë rrëmbyer nga përroi.
Ndërkohë, përfaqësues të Bashkisë Dibër kanë mbërritur në fshatin Radomirë për të vlerësuar dëmet e shkaktuara. Sipas informacioneve paraprake, përveç humbjes së bagëtive, reshjet kanë shkaktuar dëme edhe në bujqësi, si dhe në infrastrukturën rrugore të zonës.
Autoritetet lokale po vijojnë verifikimet në terren për të përcaktuar shkallën e plotë të dëmeve të shkaktuara nga moti i keq.
