Ish-deputetja dhe ish-ministrja Ermelinda Meksi ka reaguar lidhur me deklaratat e bëra nga Petro Koçi, i cili një ditë më parë kishte cilësuar Belinda Balluku si “themeluese të korrupsionit”.

Meksi thekson se qëndrimi i Koçit nuk duhet parë thjesht si një debat mes individësh, por si një sinjal për reflektim mbi drejtimin dhe transformimet e Partisë Socialiste ndër vite.

Sipas saj, çështjet e ngritura në atë deklaratë meritojnë vëmendje më të gjerë, pasi lidhen me mënyrën se si partia ka evoluar në krahasim me parimet dhe frymën e viteve të saj të para.

REAGIMI I MEKSIT
Në 35-vjetorin e Partisë Socialiste, shkrimi i Petro Koçit ngre disa çështje që meritojnë reflektim.

Më shumë se debat mes individësh, e lexoj atë si një shqetësim për mënyrën se si ka evoluar Partia Socialiste në raport me frymën e viteve të para të saj.

PS e fillimviteve ’90 u përpoq të fitonte besimin e shoqërisë përmes debatit të ideve, përfshirjes së intelektualëve, demokracisë së brendshme dhe hapjes ndaj mendimit ndryshe. Shumë prej nesh u angazhuam në PS pikërisht për këto vlera.

Për këtë arsye ky shkrim më preku, aq më shumë që me qarkun e Fierit më lidh një nga betejat më të rëndësishme elektorale të jetës sime politike. Në vitin 2009, pas pesë mandatesh si deputete e Tiranës,Partia Socialiste më besoi, së bashku me mallakastriotin Piro Lutaj, një nga sfidat më të vështira elektorale në qarkun e Fierit. Kandidova plot dëshire në Mallakastër, vendlindjen e tim eti, një zonë ku gjithë pushtetii lokal qe i dominuar nga Partia Demokratike. Falë punës së socialistëve dhe mbështetjes së mallakastriotëve kudo që jetonin, arritëm fitoren qe ndryshooi ekuilibrat politikë të zonës.

Kur dëgjoj sot diskutime mbi përqendrimin e vendimmarrjes, dobësimin e debatit të brendshëm apo largimin e figurave me kontribute, mendoj se përgjigjja nuk duhet të jetë mohimi i problemit, por reflektimi mbi të.

Një parti që qëndron gjatë në pushtet përballet natyrshëm me sfidën e ruajtjes së dinamizmit, pluralizmit te mendimit dhe aftësisë për vetëkorrigjim.

Kjo është çështja më e rëndësishme që ngre ky shkrim, veçanërisht në një moment kur besimi publik dhe aftësia për të dëgjuar zërat kritikë po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për të ardhmen e PS.

Në këtë përvjetor, u shpreh mirënjohjen të gjithë socialistët që ndërtuan dhe mbështetën Partinë Socialiste në vitet më të vështira te opozites si dhe në ato të qeverisjes.

Gëzuar 35-vjetorin, me urimin që PS të ruajë gjithmonë aftësinë për të dëgjuar, reflektuar dhe rinovuar veten.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: