Dhjetë vjet punë dhe përpjekje nga dy shtete përfunduan pa rezultat. Bëhet fjalë për projektin e avionit të përbashkët luftarak gjermano-francez, të cilin Gjermania dhe Franca vendosën ta braktisin përfundimisht më 8 qershor 2026.

Nga Gjermania, Auron Dodi, analist në DW, përcjell detajet për News24 duke renditur arsyet që çuan në ndërprerjen e punës për avionin modern që do të bënte të mundur pavarësimin e Gjermanisë dhe Francës nga armët amerikane.

News24: Projekti FCAS, avioni luftarak evropian i së ardhmes, mori fund. A mund të thuhet se dështoi Evropa, apo vetëm një mënyrë e caktuar për ta ndërtuar avionin? Çfarë ishte saktësisht projekti FCAS?
A. Dodi:
Me projektin FCAS, shkurtimin për Sistemin Ajror Luftarak të së Ardhmes, kuptohet në radhë të parë një avion luftarak shumë modern evropian, që synohej të ndërtohej pa pjesë këmbimi amerikane. Kjo në fakt ishte ideja e guximshme, kur u konceptua ky sistem. Për të u punua 10 vjet. Deri të hënën, më 8 qershor, kur Berlini i njoftoi Parisit fundin e projektit të përbashkët. Kjo pas një serie të gjatë mosdakordimesh.

Avionin do ta ndërtonin koorporatat Airbus për Gjermaninë e Dassault për Francën. Projektin e nisën, politikisht, në korrik 2017 kancelarja Angela Merkel dhe presidenti Emmanuel Macron. Njëkohësisht me programin e tankeve të së ardhmes, MGCS.

Avioni dhe sistemi rreth tij synonte t’i bënte Gjermaninë dhe Francën më të pavarura nga armët amerikane. Me fundin e projektit, tani preket edhe Spanja, që ishte partnere e tretë.

Pse dështoi FCAS?
Gjermania dhe Franca përmendin të njëjtin shkak, por e interpretojnë ndryshe. Berlini sheh si pengues prodhuesin francez të avionëve Dassault — firmën që ka ndërtuar avionin luftarak francez Rafale. Dassault kërkoi një pjesë tepër të madhe drejtuese në projekt. Sipas medieve, Dassault druhej edhe se po ta ndante ekspertizën që kishte mbledhur për ndërtimin e avionëve me të tjerë, përparësia franceze do të humbiste shpejt. Pas ngurtësimit të kësaj firme në këtë qëndrim, Gjermania, në fund, hoqi dorë nga presioni, që sipërmarrjet gjermane të bënin lëshime.

Parisi e pranon pengesën nga Dassault, por thelbin e problemit, e sheh te konkurrenca industriale. Kësaj i shtohet që të dyja shtetet e ngarkuan projektin me gjithë peshën e miqësisë. Dhe pritshmëria si të thuash “tepër romantike”, nuk i rezistoi realitetit industrial evropian.

A kishte edhe arsye të tjera, përtej grindjes me Dassault?
Po. Franca donte një avion që ta ngarkonte edhe me armë bërthamore, Gjermania nuk e kishte këtë nevojë; futja e madhe e dronëve në luftë, shtroi edhe pyetjen a nevojitet më një avion i tillë, që do të diltë në treg në vitin 2040.

Edhe vetë ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, e pranoi: sot një projekt i tillë nuk do të konceptohej si para 10 vitesh. Tha se nisma të mëdha si kjo kërkojnë më parë një bazë të qartë industriale — një konsorcium si Airbus — dhe jo vetëm vullnet politik.

A ndihet Franca “jo rehat” me faktin e riarmatimit masiv të Gjermanisë?
Franca druhet se do të humbasë epërsinë ushtarake ndaj Gjermanisë. Boshti i vjetër gjermano-francez mbështetej në një ndarje të qartë rolesh: Franca mbante peshën ushtarake, Gjermania jepte fuqinë ekonomike. Riarmatosja gjermane tani e ndryshon këtë ekuilibër.

Shefi i shtabit të përgjithshëm francez, gjenerali Fabien Mandon, paralajmëroi se brenda pesë vjetësh, Franca rrezikon të mbetet prapa Gjermanisë. Në vitin 2022, kur nisi lufta në Ukrainë, të dyja vendet shpenzonin thuajse njësoj për mbrojtjen; por deri më 2029 buxheti ushtarak i Berlinit do të rritet dhe sipas planit zyrtar do të bëhet dyfishi i atij të Francës: mbi 150 miliardë euro (152,8) në Gjermani, përballë rreth 73 miliardë eurove në Francë (72,8 miliardë euro, buxheti i aktualizuar për 2026 sipas burimeve zyrtare franceze). Një ushtarak francez i lartë e quajti në medie këtë zhvillim „të paimagjinueshëm”.

Megjithatë nuk është fjala për kërcënim — në Paris askush nuk e quan Gjermaninë rrezik. Bëhet fjalë për status, dhe për shqetësimin se Gjermania po rend e vetme përpara: Berlini po investon shumë, edhe në hapësirë.

Ndërsa Parisi, që nuk i ka sot fondet e Gjermanisë, druhet se në plan afatmesëm do të mbetet prapa.

Po Gjermania, ndihet gjithashtu“jo rehat” me Francën, në pikëpamje ushtarake?
Këtë nuk mund ta konfirmoj. Buxheti i madh ushtarak i jep industrisë gjermane vetëbesim dhe peshë të jashtëzakonshme. Veç kësaj, jo të gjithë në Evropë i mbështesin frikërat franceze. Në Poloni, për shembull, shumë e shohin pozitivisht një ushtri gjermane më të fortë — janë më të shumtë ata që e quajnë përfitim, se ata që flasin për rrezik.

Cilat janë hapat e tjerë që do të ndërmarrë Gjermania tani?
Gjermania do të vazhdojë të përdorë avionin Eurofighter. Dhe synon të shpëtojë atë që ka mbetur nga projekti i avionit. Po kërkon partnerë të rinj për ta ndërtuar avionin; deri në korrik do të paraqitet një plan.

Gjermania ose do të hyjë në programin GCAP — që ndërton avionin konkurrent të së ardhmes të britanikëve, italianëve e japonezëve. Ose do të nisë një bashkëpunim me prodhuesin suedez Saab. Gjermania synon të ketë rol qëndror në ndërtimin e këtij avioni modern, tepër të shtrenjtë dhe të ndërlikuar.

Njëkohësisht: ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius paralajmëroi se nuk duhet vënë në pikëpyetje i gjithë partneriteti gjermano-francez, për shkak të një projekti. Ka drejtime të tjera, ku boshti Berlin-Paris mund të kontribuojë për Evropën. Kujtojmë p.sh. samitin e fundit të BE, kur ishin Berlini e Parisi, që u ofruan shteteve të Ballkanit një afrim gradual me BE.

Shkurt, histori nga e kaluara është avioni i përbashkët, jo partneriteti gjermano-francez. Po, në të ardhmen ai ndoshta do të jetë një partneritet më i matur — kjo e bën edhe më të qëndrueshëm.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb