Taulant Balla shfaqet si një nga njerëzit më besnikë ndaj Edi Ramës, sepse dihet që në politikë besnikëria është investim për të ardhmen dhe llogari për ditën kur ekuilibrat e pushtetit ndryshojnë.
Në klimën e tensionuar që ka shoqëruar protestat dhe debatet e fundit brenda së majtës, disa zëra të Partisë Socialiste e shohin Ballën si një nga figurat që politikisht mund të përfitojë nga largimi i deputetes Marjana Koçeku nga grupi parlamentar. Ata thonë nën zë se ai është njeriu më i lumtur nga kjo lëvizje. Balla ndjek logjikën që çdo zë, i cili del jashtë vijës zyrtare të partisë, forcon pozitat e atij që mbështet liderin dhe kontrollin e strukturave politike.
Prej vitesh, Balla ka qenë pranë qendrës së pushtetit në PS, duke mbrojtur vendimet e lidershipit dhe duke u shfaqur si një nga zërat më aktivë. Megjithatë, heqja e tij nga poste të rëndësishme dhe ngritja e figurave të tjera si Elisa Spiropali në pozicione kyçe, kanë krijuar perceptimin se ai nuk gëzon më të njëjtin ndikim që kishte dikur. Për këto ai e shpreh shpesh pakënaqësinë në grupet e ngushta të miqve. Balla nuk e përtyp dot ende largimin nga kreu i grupit parlamentar, nga posti i sekretarit të përgjithshëm apo si Ministër i Brendshëm.
Por pavarësisht të gjithave, ai vazhdon të “luajë” mbrojtësin më të zellshëm të lidershipit, duke ruajtur afërsinë me pushtetin dhe duke pritur momentin kur kjo afërsi mund të kthehet sërish në kapital politik. Sipas këtij këndvështrimi, ai paraqitet si politikani që nuk largohet kurrë nga qendra e vendimmarrjes, pavarësisht uljeve dhe ngritjeve personale.
Historia politike shqiptare ka treguar se raportet mes liderëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre më besnikë rrallëherë mbeten të pandryshuara. Kur pushteti është i fortë, besnikët shërbejnë për ta mbrojtur; kur ai dobësohet, shpesh janë të njëjtët njerëz që kërkojnë të zënë vendin bosh që krijohet dhe Rama e di këtë. Prandaj, pyetja që shtrohet sot nuk është sa besnik është Taulant Balla ndaj Edi Ramës. Pyetja është nëse kjo besnikëri buron nga bindja politike apo nga llogaritë për të ardhmen.
Në fund të fundit politika shqiptare ka prodhuar jo pak raste ku aleatët më të afërt të një lideri janë shndërruar më pas në rivalët e tij më të mëdhenj. Mjafton të kujtojmë rastin e Lulzim Bashës, i cili nga pasardhësi i zgjedhur dhe bashkëpunëtori më i afërt i Sali Berishës, u shndërrua në kundërshtarin e tij politik. Një dëshmi se në politikë besnikëria është shpesh e përkohshme, ndërsa ambicia mbetet e përhershme.
