Britania do ta furnizojë Ukrainën me uranium të pasuruar për nevojat e centraleve të saj bërthamore dhe do të vazhdojë me sanksione të reja kundër Rusisë, njoftoi Downing Street përpara takimit të punës të G7-ës mbi luftën në Ukrainë .

Kryeministri britanik Keir Starmer dënoi “sulmet barbare” të Rusisë dhe tha se Londra do të shtonte presionin mbi Moskën duke prerë të ardhurat që financojnë luftën e Vladimir Putinit.

Në të njëjtën kohë, qeveria britanike do të ndajë afërsisht 210 milionë paund, ose 243 milionë euro, për financimin e eksportit, në mënyrë që kompania britanike Urenco të mund të furnizojë me uranium të pasuruar kompaninë shtetërore ukrainase Energoatom.

“Ne do të qëndrojmë pranë Ukrainës për aq kohë sa të duhet”, tha Starmer, duke shtuar se ky vendim përforcon angazhimin e Britanisë për të mbështetur sigurinë energjetike të vendit në dimrat e ardhshëm.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të marrë pjesë në samitin e G7 në Evian të Francës, në një takim pune mbi paqen dhe sigurinë në Ukrainë dhe Evropë.

Nga ana e tij, Presidenti francez Emmanuel Macron tha se do të përpiqet të bindë homologun e tij amerikan, Donald Trump, që të ushtrojë më shumë presion mbi Moskën.

“Ajo që dua në thelb është që amerikanët të thonë ‘ne jemi me ju, do të vazhdojmë të ndihmojmë Ukrainën, do të ushtrojmë më shumë presion mbi Rusinë’”, tha ai në një intervistë me TF1.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb