Një pikë karburanti në zonën e Krastës, në Krujë, është grabitur gjatë orëve të para të mëngjesit nga dy persona të maskuar dhe të armatosur.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:30, kur dy autorët kanë zbritur në këmbë nga zona malore dhe, nën kërcënimin e një arme gjahu tip “çifte”, i kanë marrë rojës së karburantit rreth 20 mijë lekë të rinj, që përbënin xhiron ditore.
Pas grabitjes, autorët janë larguar sërish në këmbë në drejtim të malit, nga ku dyshohet se kishin ardhur. Burimet bëjnë me dije se ndaj rojës nuk është ushtruar dhunë fizike, ndërsa grabitësit kanë arritur të largohen menjëherë nga vendngjarja.
Karburanti ku ndodhi ngjarja është në pronësi të kompanisë “Elda”.
